Lajme

Analiza: A duhet ta pranojë Kosova “kornizën e re”?


Foto nga Albanian Post

‘’Korniza e re’’ e dialogut për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, e përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, e publikuar nga Albanian Post po shihet me skepticizëm nga njohës të diplomacisë.

Një nga pikat e kornizës është që vitin e ardhshëm të nënshkruhet një marrëveshje, por pa njohje formale, derisa pas 10 vjetësh të nënshkruhet ajo finalja ku zyrtarisht shtetet e njohin njëra tjetrën.

Prandaj, për profesorin e diplomacisë dhe ish-zëvendës-ministrin e jashtëm të Kosovës, Valon Murtezaj, ‘’destruktiviteti i Serbisë është problemi kryesor’’, meqë Serbia është ‘’palë e pabesueshme’’.

Ai konsideron se Kosova nuk duhet të heq dorë nga njohja formale e Kosovës si shtet i pavarur.

‘’Është dokument ende shume abstrakt por ide te ndryshme mund të ofrohen për diskutime në dialog. Për Kosovën njohja shtet i pavarur është esenciale’’, thotë Murtezaj për Albanian Post.

Marrëveshja parasheh edhe zotim të Serbisë që të ndërprejë lobimin kundër Kosovës, por Abit Hoxha, Ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, thotë se Serbia do ta bëjë pikërisht të kundërtën.

“Kjo kornizë e dialogut, nëse shërben si bazë është e mirë, por më shumë e çliron Serbinë nga Kosova se sa Kosovën nga Serbia. Shtyrja e njohjes për 10 vite, do te thotë që ka edhe 10 vite qe Serbia do të lobojë jozyrtarisht kundër Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare. Prandaj, përderisa nuk ka ndryshim politik në Serbi, edhe ky dokument mbetet vetëm një varg dëshirash”, thotë Hoxha për Albanian Post.

Ndërsa profesori i shkencave politike Ibrahim Gashi, konsideron se përfundimisht korniza e re duhet pa si një situatë e re për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe natyrisht si një sfidë e re për klasën politike në Kosovë.

Por, shton se pjesa më problematike e kësaj kornize të propozuar është fakti që pothuajse të gjitha zgjidhjet i ka për momentin hipotetike.

‘’Cilët do të janë mekanizmat garantues se pika të caktuara të marrëveshjes do të ndodhin brenda dinamikës kohore 10 vjeçare. Këtu mbi të gjitha mendohet në arritjen e njohjes formale, por edhe të njohjeve nga pesë vendet e BE-s, anëtarësimet në NATO dhe në BE. Problemi nuk qëndron tek mosbesimi ndaj shteteve ndërmjetëse Francës dhe Gjermanisë, por e ardhmja e Ballkanit dhe e Evropës mund të sfidohet nga zhvillime të cilat s’mund të parashikohen’’, thekson Gashi për AP.

Megjithatë, ai potencon se korniza e re krijon një rrethanë të re në procesin e dialogut, duke shtuar se ‘’tani palët kanë në tavolinë diçka konkrete rreth të cilës duhet të negociojnë’’.

‘’Nga ky dimension kjo kornizë është e rëndësishme, ngase, siç thuhet, Kosova dhe Serbia vështirë do të mund të arrinin vet tek një marrëveshje cilado qoftë ajo. Për më shumë në disa pika mund të thuhet korniza shënon një progres që edhe mund t’i përafrojë palët drejtë një marrëveshje të pranueshme’’.

Profesori Gashi mendon që korniza e re ka edhe disa probleme, pasi sqaron se njohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së i përkthehet si përfitim i ndjeshëm financiar Serbisë dhe njohje e statusit të fuqisë rajonale.

‘’Nuk di cili është kontributi i Serbisë për këto njohje. Ato do të duhej të vinin vetëm nga një politikë e jashtme më kohezive e BE-së’’.

‘’Është vështirë të thuhet si do të sillen palët ndaj këtij propozimi. Për të dy palët ka pika të pranueshme por edhe të vështira për t’i pranuar. Mendoj që pala kosovare duhet më shumë kujdes të trajtojë dhe më shumë kompetencë të dijë të kërkojë krijimin e mekanizmave të tillë që garantojnë implementimin e pjesëve të  pranuara në mirëbesim, të cilat thuhet se do të zbatohen në një perspektivë afatmesme’’, ka përfunduar Gashi.

Çka thuhet në ‘’kornizën e re’’

Sipas kornizës të cilën e ka publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore