Lajme

“Amnesty International” – mes frikës për sigurinë e stafit – largohet nga Hong Kong-u


Zyra e Organizatës jo-qeveritare “Amnesty International” në Hong Kong

Organizata jo-qeveritare “Amnesty International” – grupi i të drejtave të njeriut – do të mbyllë zyrat e tij në Hong Kong pas pothuajse 40 vjetësh, mes shqetësimeve për stafin e saj, pasi Pekini po godet liritë civile.

Imponimi nga Kina i një ligji për sigurinë kombëtare në Hong Kong pas protestave pro-demokratike të vitit 2019 ka çuar në arrestime masive të politikanëve të opozitës dhe një shtypjeje të mospajtimit.

“Amnesty International” do të bëhet një nga organizatat e para të mëdha ndërkombëtare joqeveritare që do të tërhiqet nga Hong Kong-u që kur ligji i sigurisë u shpall.

Masa vjen pas mbylljes së më shumë se 35 grupeve lokale të shoqërisë civile që thanë se nuk ishin në gjendje të vazhdonin operacionet në dritën e kërcënimeve nga forcat e rendit dhe grupet pro-Pekinit.

Një protestues mban një ombrellë, ndërsa policia hedh gaz lotsjellës gjatë një demonstrate në Hong Kong, 1 janar 2020. Grupi për të drejtat e njeriut “Amnesty International” thotë në raportin vjetor të publikuar më 29 janar 2020 se, ndërsa kontrollet autoritare po minojnë gjithnjë e më shumë liritë në Azi, vullneti për t’i rezistuar një represioni të tillë po rritet gjithashtu.

“Ligji i sigurisë kombëtare të Hong Kong-ut e ka bërë efektivisht të pamundur për organizatat e të drejtave të njeriut që të punojnë lirshëm dhe pa frikën e hakmarrjeve serioze nga qeveria”, tha të hënën Anjhula Mya Singh Bais, kryetare e bordit ndërkombëtar të “Amnesty International”.

Ligji, i cili synon shkëputjen, përmbysjen, terrorizmin dhe marrëveshjet e fshehta me forcat e huaja, u prezantua në qershor 2020, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga Pekini për të riformuar qytetin e lirë dhe për ta sjellë atë në linjë me kontinentin kinez.

Shkelësit, sipas ligjit, përballen me një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.

Duke iu përgjigjur vendimit të organizatës për t’u larguar nga Hong Kong-u, qeveria tha se liria e shoqërimit mbrohet sipas ligjit të sigurisë.

Në muajt e fundit, policia ka akuzuar anëtarët e OJQ-ve të Hong Kong-ut, duke përdorur ligjet e sigurisë, duke përfshirë udhëheqësit e grupit që organizoi memorialin vjetor për masakrën e Tiananmenit të vitit 1989 – e cila u mbajt në “Victoria Park”.

Drejtori i Amnesty International në Azinë Lindore, Nicholas Bequelin, në të majtë, dhe Zëvendës Drejtori i Programit të Çështjeve Globale, James Lynch, mbajnë kopjet e raporteve mbi dënimin me vdekje gjatë një konference për shtyp në Hong Kong, 10 prill 2017.

Gazetat e mbështetura nga shteti dhe politikanët pro Pekinit kanë udhëhequr gjithashtu fushata kundër të gjitha llojeve të grupeve të shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat e artit – të akuzuara për shkelje të ligjit.

Hong Kong-u ishte më parë një bazë rajonale për shumë OJQ globale dhe kompani mediatike.

Vitin e kaluar, gazeta amerikane “New York Times” tha se do të zhvendoste selinë e saj në Azi në Seul, Korea e Jugut.

Zyra e “Amnesty International” në Hong Kong, që menaxhoi anëtarësimin lokal, do të mbyllet këtë fundjavë, ndërsa tjetra që mbikëqyri kërkimin e saj aziatik në fusha të tilla, si goditja e Kinës ndaj avokatëve të të drejtave të njeriut, do të mbyllet deri në fund të vitit. Organizata nuk tha se ku do të bazohej zyra e saj e re në Azi.

“Mjedisi i represionit dhe i pasigurisë së përhershme të krijuar nga ligji i sigurisë kombëtare e bën të pamundur të dihet se cilat aktivitete mund të çojnë në sanksione penale”, tha Bais.

Protestuesit ngrenë duart për të treguar ‘pesë kërkesat’ në Hong Kong, 1 janar 2020.

Të hënën, Ma Chun-man, një ish-punonjës i shpërndarjes së ushqimit u dënua sipas ligjit të sigurisë për “nxitje të shkëputjes” për brohoritjen e parullave gjatë protestave në fund të vitit 2020 që gjykata tha se ishin “pro-pavarësisë”.

Gjykatësi tha se 31-vjeçari kishte “çdo synim për të nxitur të tjerët të ndiqnin idetë e tij”. Ma përballet me shtatë vjet burg dhe do të dënohet më 11 nëntor.

Ligji i sigurisë kombëtare?

Hong Kong – rajon i veçantë administrativ i Kinës – miratoi një ligj sigurie, me ndërhyrjen e Pekin-it.

Analistët janë shprehur se kjo ka të bëjë me ndërhyrjen e qeverisë së Pekin-it për të siguruar që qyteti ka një kornizë ligjore me ato që i sheh si sfida serioze ndaj autoritetit të tij.

Detajet e 66 neneve të ligjit u mbajtën të fshehta deri, pasi ai u miratua vitin e kaluar.

Aktivistja e shquar pro-demokracisë në Hong Kong, Agnes Chow, të shtunën e 12 qershorit, pasi u lirua nga burgu ku kreu gati shtatë muaj të dënimit prej 10 muajsh.

Ligji hyri në fuqi më 30 qershor 2020, një orë para 23-vjetorit të dorëzimit të qytetit Kinës nga sundimi Britanik.

Kjo i jep Pekin-it fuqi për të formuar jetën në Hong Kong që nuk ka pasur kurrë më parë. Kritikët thonë se në mënyrë efektive kufizon protestën dhe lirinë e fjalës – Kina ka thënë se do të kthejë stabilitetin.

Ndryshimet në parlamentin e Hong Kong-ut

Parlamenti në Hong Kong, më 27 maj, ka miratuar një ligj të diskutueshëm të reformës zgjedhore. Ky ligj synon të mbajë larg njerëzit që Kina i konsideron “jo patriote” nga pozicionet e pushtetit politik.

Projekt-ligji do të nënshkruhet në ligj së shpejti nga ekzekutivi i qytetit Carrie Lam, i cili ka thënë se komiteti i ri i vetingut nuk do të diskriminojë njerëzit për pikëpamjet e tyre politike, por përkundrazi do të heqë “jo-patriotët”.

Reforma do të lejojë një panel pro-Kinë të verifikojë dhe të zgjedhë kandidatët, duke zvogëluar përfaqësimin demokratik.

Kritikët paralajmërojnë se është krijuar për të hequr të gjitha kundërshtimet nga parlamenti, duke lejuar Pekinin të forcojë kontrollin e tij mbi Hong Kong-un.

Që kur ligji i reformës zgjedhore u iniciua nga qeveria kineze në muajin mars, ai ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare. Përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë vitit të kaluar një numër në rritje i aktivistëve pro-demokracisë janë arrestuar sipas një ligji të veçantë të sigurisë kombëtare që hyri në fuqi vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore