Lajme

Amerika pati një ëndërr, Ukraina ka një nevojë – Na ndihmoni


Një lutje e ndjerë, me kokën pas në kohë, por me sytë nga e ardhmja.

“Unë kam një ëndërr. Ju i njihni këto fjalë lirie. Epo sot, Ukraina, ne, kemi një nevojë. Ndaj, na ndihmoni”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kongresin e SHBA-ve, ku u ka kërkuar kongresmenëve amerikanëve të mos e ndalin presionin ndaj Rusisë.

Për Zelenskyn, është shumë me rëndësi që sanksionet të vijojnë. Sanksione, derisa Ushtria ruse, të ndalet në agresionin ndaj Ukrainës.

Kërkesa për të mbyllur hapësirën e fluturimit mbi Ukrainë, mbetet po ashtu zëlartë në retorikën diplomatike të numrit një të Kievit. Gjithsesi, këtë herë, ai u duk pak më i tërhequr, duke kuptuar se mund të mos jetë e bëshme.

“Kaq shumë është të kërkosh ndalimin e fluturimeve mbi Ukrainë? Nëse po, ju e dini se çfarë sistemesh antiraketore na duhen. Çfarë avionësh na duhen. Gjithçka që mund ta ndihmojë Ukrainën dhe Evropën”, tha ai thuajse i përlotur përpara Kongresit.

Sa i përket një dorëzimi të mundshëm, ai e ka mohuar atë kategorikisht.

“Ne nuk dorëzohemi. As që e kemi menduar një sekondë të vetme këtë gjë”, iu adresua ligjvënësve amerikanë, në emër të popullit ukrainas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore