Lajme

Amerika kthen dy afganë në Kosovë – dyshohet se përbëjnë rrezik


Evakuimi i refugjatëve afganë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të kthejnë në Kosovë së paku dy afganë për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë që u ngritën pasi refugjatët mbërritën në aeroport në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu kanë thënë dy burime që janë brenda operacionit të evakuimit mediumit amerikan NBC News.

Burimet shtojnë se e gjithë situata po trajtohet me kujdes të shtuar nga forcat federale dhe njoftojnë se vetëm pse një person shikohet për një kontroll të dytë nuk nënkupton se ai është terrorist ose përbën ndonjë kërcënim, njofton Albanian Post.

Por, “diçka në profilin e tyre – emri, historia ose numri i telefonit – ka ngritur mjaftueshëm shqetësime se ata mund të mos qëndrojnë në SHBA”.

Prandaj duhet një rishikim shtesë, thonë burimet e NBC-së.

“Shumë njerëz janë lëvizur shumë shpejt dhe ekipet e inteligjencës kanë qenë duke punuar shumë për të shikuar nëse ndonjëri nga ta përbën rrezik”, ka thënë një zyrtar i lartë federal.

“Disa nga kontrollet bëhen në shtete të tjera e disa kur refugjatët mbërrin në SHBA. Nuk do të lejojmë që njerëzit të lëshohen në komunitet nëse ka diçka dyshuese rreth tyre”.

Nga mbi 30 mijë afganë që kanë udhëtuar për në SHBA, 10 mijë prej tyre është dashur t’u bëhen kontrolle shtesë dhe nga ta diku 100 kanë ngritur alarm për ri-shikim të historisë së tyre.

Organet në SHBA tani janë duke u marrë edhe më çështjen se si të veprohet nëse ndonjë nga refugjatët del se përbën rrezik, apo ka të kaluar të dyshimit dhe lidhje të mundshme me terroristët.

Gjithsesi, procesi i kontrollit ka qenë i madh dhe i shumëfishtë. Fillimisht ka pasur kontrolle në aeroportin e Kabulit para se të lihet Afganistani. Më pas një kontroll shtesë është bërë edhe në vende të treta, siç është për shembull rasti në Kosovë, dhe një kontroll final bëhet kur refugjatët të mbërrin në SHBA.

Vendet e treta ku është bërë evakuimi, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, janë edhe vende si Katari, Bahrejni, Kuvajti, Italia, Spanja, Gjermania dhe disa të tjera.

“Kur të gjejmë dhe nëse gjejmë informata të dyshimta e dimë se si të procedojmë tutje”, kanë thënë nga forcat federale amerikane.

 

Afganët në Kosovë

“Deri të premten (3 shtator) në Kosovë kanë arritur afërsisht 467 refugjatë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht”.

Për numrin mediat u njoftuan nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një takim koordinues me organizatat ndërkombëtarë të Kosovës.

Në atë takim është diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë në Kosovë.

Sveçla, tha se Kosova ka nevojë për mbështetje të organizatave ndërkombëtare në këtë periudhë.

“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”.

Më 29 gusht në Kosovë pati arritur grupi i parë i afganëve prej 111 personave, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Ata u strehuan në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Shtetet e Bashkuara më 30 gusht e kanë përfunduar tërheqjen e plotë nga Afganistani pas 20 vjetësh të prezencës ushtarake atje.

Vendi tashmë është nën kontrollin e talibanëve dhe shumë afganë e kanë të paqartë të ardhmen e tyre nën sundimin taliban.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore