Lajme

Ambiciet e mega-minierave të Arabisë Saudite


Është një tjetër thesar që ka me bollëk në tokat e Arabisë Saudite, sipas ministrit të Industrisë dhe Burimeve Minerale, në një vend që po përgatitet aktivisht për epokën pas naftës.

“Pasuria minerale e mbretërisë u rrit me 90 për qind për të arritur ekuivalentin e 2 mijë e 500 miliardë dollarëve”, ka thënë Bandar Ibrahim Alkhorayef në Forumin e Mineraleve të Ardhshme, i cili u mbajt së fundmi në Riad.

Në vitin 2016, këto rezerva vlerësoheshin në 1.3 trilion dollarë.

Ministri ia atribuoi këtë rritje zbulimeve të mineraleve të reja, si dhe rritjes së çmimeve të lëndëve të para.

Sakaq, njoftimi është pjesë e një morie projektesh marramendëse me të cilat Arabia Saudite i ka mësuar vëzhguesit e saj për pak më pak se dhjetë vjet.

Teksa disa ekspertë kanë shprehur skepticizëm për nivelin e pjellorisë minerale të vendit, të tjerë janë më të sigurt.

“Përllogaritjet prej 2.5 trilion dollarësh janë ndoshta të sakta, pasi vetëm 30 për qind është eksploruar deri më tani”, sipas Cyril Widdershoven, analist për burimet natyrore në Lindjen e Mesme.

Ky territor i vendosur në perëndim të Arabisë paraqitet si i pasur me bakër, nikel, ar, argjend dhe potencialisht litium, komponentë të nevojshëm për prodhimin e baterive elektrike.

“Dhe është një bast i sigurt që rezervat e reja minerale do të zbulohen në 70 përqindëshin e mbetur”, ka vijuar eksperti.

Po ashtu kompania kombëtare e minierave Ma’aden ka njoftuar në fillim të janarit se ka zbuluar depozita të konsiderueshme ari në rajonin e Mekës, me dendësi ari prej 10.4 gram për ton (g/t) dhe 20.6 g/t, të konsideruara shumë të larta.

Çka përbëjnë njoftime premtuese, pasi Arabia Saudite planifikon ta bëjë sektorin e mineraleve një nga shtyllat e programit të saj të diversifikimit ekonomik Vizioni 2030.

Mbretëria pretendon se zotëron më shumë se 48 minerale deri më sot, duke përfshirë bakër, zink, ar, çelik dhe hekur, thelbësor për industrinë digjitale dhe tranzicionin e energjisë.

Riadi shpreson të ulë importet e tij minerale nga 19 miliardë dollarë aktuale në 11.5 miliardë dollarë deri në vitin 2035, duke ulur kostot dhe duke rritur konkurrencën e industrive saudite të varura nga këto lëndë të para, sipas Institutit të Shteteve Arabe të Gjirit në Washington.

Riadi, për të forcuar pozitën e tij, ka planifikuar gjithashtu të zhvillojë një shkritore bakri dhe shkritore ose rafineri të aluminit, nikelit dhe silikonit, tre komponentë thelbësorë për ruajtjen e energjisë në panelet diellore, turbinat e erës dhe bateritë elektrike.

Gjithashtu mbretëria synon të rrisë kontributin e minierave në PBB nga 17 miliardë në 75 miliardë deri në fund të dekadës.

Nuk bëhet fjalë vetëm për nxjerrjen e mineraleve për t’i transformuar në tokën saudite, por edhe për eksportimin e tyre.

Me këtë fokus te mineralet, Arabia synon të përfitojë nga burimet minerare për t’i shërbyer tranzicionit të energjisë, në mënyrë që të pozicionohet si një lojtar kyç në këtë sektor.

“Sauditët duan të jenë pjesë e kësaj bote, siç ishte rasti në shekullin e kaluar, kur nafta u bë thelbësore për funksionimin e makinerive dhe për rrjedhojë edhe për ekonominë”, ka dalluar Ahmad Alqarout, ekspert në ekonominë politike në Lindjen e Mesme.

Kjo u siguroi atyre stabilitet politik dhe financiar, si dhe një vend të spikatur në qendër të tregtisë ndërkombëtare.

Një nga projektet kryesore të Arabisë Saudite është ngritja e një industrie të prodhimit të baterive litium dhe makinave elektrike në tokën e vet.

Mbretëria synon të prodhojë 500 mijë automjete të tilla në vit deri në vitin 2030 dhe të eksportojë më shumë se 150 mijë çdo vit deri në vitin 2026.

Shtatorin e kaluar, Wall Street Journal zbuloi se Riadi ishte në bisedime me kompaninë e makinave elektrike Tesla për të ndërtuar një fabrikë të prodhimit të makinave elektrike, në konkurrencë me vendet e tjera.

Ky projekt do ta vendoste Arabinë Saudite në konkurrencë me Kinën, e cila prodhon gati 90 për qind të tokave të rralla të nevojshme për prodhimin e baterive për makinat elektrike dhe kontrollon të gjithë zinxhirin e prodhimit të këtyre automjeteve, ndërsa i tregton ato me çmime të pakrahasueshme.

Por Riadi, pasi ka përdorur pozicionin e tij strategjik prej vitesh për të diversifikuar partneritetet e tij në mënyrë që të rrisë pavarësinë e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të njëjtën kohë mban Pekinin në anën e tij.

Korrikun e kaluar, Ministria Saudite e Investimeve nënshkroi një marrëveshje prej 5.6 miliardë dollarësh me prodhuesin kinez Human Horizons për të bashkëpunuar në prodhimin e automjeteve miqësore me mjedisin.

“Sauditët po krijojnë lidhje me Azinë dhe Kinën për të përshpejtuar procesin, por padyshim që Riadi do të jetë i pamundur të konkurrojë me Pekinin në këtë sektor”, ka thënë Ahmad Alqarout.

Arabia Saudite ka synuar gjithashtu të nënshkruante memorandumet e mirëkuptimit në vlerën e 20 miliardë dollarëve në Forumin e Mineraleve të Ardhshme.

Dhe përfundoi marrëveshje me Rusinë dhe SHBA-të gjatë kësaj konference tre-ditore.

Mbretëria, me këtë politikë të hapur gjithëpërfshirëse, po përpiqet të vendoset në qendër të tregtisë midis Evropës dhe Azisë, veçanërisht në sektorët e teknologjisë, transferimit të të dhënave dhe tranzicionit të gjelbër.

Një objektiv i pasqyruar në planin e zhvillimit Vizioni 2030 i nisur nga Mohammad bin Salman në vitin 2016.

Ndërkaq, qëllimi i kësaj politike të gjerë minerare është gjithashtu të tërheqë investime për të diversifikuar ekonominë saudite, e cila është ende shumë e varur nga nafta.

Arabia Saudite nisi një fond investimi për minerale një vit më parë, 51 për qind në pronësi të Ma’aden, me pjesën e mbetur që i përket Fondit të Investimeve Publike.

Fondi Manara planifikon të investojë deri në 15 miliardë dollarë në asete jashtë shtetit, “sipas mundësive të përshtatshme”, sipas burimeve të njohura me çështjen.

Arabia Saudite inauguroi këtë strategji duke blerë 10 për qind të aksioneve në gjigantin brazilian të minierave Vale korrikun e kaluar.

Ky operacion prej 2.6 miliardë dollarësh do t’i sigurojë Riadit interesa në minierat e bakrit, nikelit dhe metaleve të tjera strategjike, nga Indonezia në Kanada.

Teksa kërkon të tërheqë afro 200 miliardë dollarë investime në sektorin e minierave deri në vitin 2030, Arabia Saudite planifikon të japë 33 licenca për eksplorim minierash për investitorët dhe operatorët ndërkombëtarë.

E këto kanë qenë të aksesueshme vetëm për aktorët jo-sauditë që nga viti 2022.

Riadi po vendos gjithashtu rregullore të reja që do të bëjnë të mundur ofrimin e zonave më të mëdha eksplorimi, prej më shumë se 2 mijë km për çdo licencë.

Projektet saudite duken jashtëzakonisht ambicioze, ndërkohë që industria minerare është në fillimet e saj.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për të pasur makineri gërmimi, por edhe për akses në energji elektrike në kantiere, si dhe në hekurudha për të transportuar materiale në fabrikat lokale, ose në porte për eksport”, ka shtuar Cyril Widdershoven.

E gjithë kjo është ende në fazën e projektit. »

Sidomos meqenëse personeli i nevojshëm për të operuar një industri të tillë ende mungon në vend, inxhinierët sauditë deri më tani janë fokusuar kryesisht në sektorin e hidrokarbureve.

Prodhimi i automjeteve elektrike kërkon ekspertizë më të fundit, shumë larg asaj të makinave tradicionale, të cilat sauditët nuk i kanë blerë ende, sipas Ahmad Alqarout.

“Ata aktualisht nuk kanë as sistemin arsimor dhe as infrastrukturën e nevojshme për të siguruar pozicionin e tyre të dëshiruar në zinxhirin global të furnizimit”.

Kjo rëndësi që i jepet sektorit të minierave, që pasqyron dëshirën e Arabisë Saudite për të krijuar një vend të zgjedhur në botën e ardhshme, ku ekonomia do të përqendrohet në teknologjinë digjitale dhe tranzicionin e energjisë, përbën mbi të gjitha një bast.

Marrë nga “L’Orient-Le Jour”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore