Kosova

Ambasadori rus në Beograd: “Serbia mund të llogarisë në Rusinë në pozicionin e saj ndaj Kosovës”


Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandër Boçan-Kharçenko

Ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandër Boçan-Kharçenko, tha se Rusia do të vazhdojë mbështetjen ndaj Serbisë rreth Kosovës, pavarësisht njohjes së të ashquajturave “republika” të Donetskut dhe Luhanskut, dy rajoneve separatiste që Vladimir Putin “ua njohu pavarësinë nga Ukraina”.

Në një intervistë dhënë për gazetën serbe “Novosti”, Kharçenko tha se “Serbia mund të llogarisë në Moskën”.

“Sigurisht. Sikurse në çështjet tjera, edhe në çështjen e Kosovës, pozicioni i Rusisë është parimor, i vazhdueshëm, dhe nuk varet nga ndryshimi i situatave në rajonin e Ballkanit ose jashtë”, ka thënë ambasadori rus.

“Ky pozicion” i Rusisë, tha ai, “mbështetet në ligj ndërkombëtar”.

Ai tha se Moska e kupton “konsistencën e Beogradit”, dhe se “për çështjen e Kosovës do të vazhdojmë bashkëpunimin”.

Ai thotë se Rusia nuk i konsideron dy situatat paralele, atë të Kosovës dhe të dy të ashtuquajturave republika, përkatësisht të Luhanskut dhe Donetskut, derisa këto dy të fundit i quan “shtete me të vërtetë të pavarura”, dhe Kosovën “shtet të rremë”.

Kharçenko tha se Rusia nuk kërkon asgjë nga Beogradi, dhe se e kupton që Serbia ndjek interesat e saj nacionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore