Lajme

Ambasadori italian: Kosova është pikë qendrore që lidh Ballkanin


Ambasadori i ri i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të shtunën ka zhvilluar takimin e parë me ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i shoqëruar nga zëvendës-shefi i Misionit të Italisë të Kosovë, Ugo Ferrero.

Duke parë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Kosovë ndër vite, Antonello De Riu u shpreh se Kosova është vend me potencial të madh, sepse është pikë qendrore nëpërmjet të cilës kalon çdo rrugë që lidh Ballkanin.

Ndërsa, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se bashkëpunimi i mirë i deritanishëm me ambasadorët e Italisë në Kosovë dhe Republikën e Italisë vetëm sa do të avancojë.

“Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorin i ri i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

Kryeministri, po ashtu nënvizoi edhe kontributin e çmuar të komandantëve italian të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në vend.

Ai tutje theksoi se qeveria që udhëheqë ka për synim parësor drejtësinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, andaj Kosova është e gatshme dhe mirëpret investimet e huaja që nxisin zhvillimin ekonomik dhe ngritin mirëqenien e qytetarëve.

Ambasadori De Riu, në vitin 1999 kishte vizituar Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës dhe në vitin 2009 pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai i tha Kurtit se ndjehet i lumtur që është në Kosovë me këtë përgjegjësi të re.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit, thuhet se ai e falënderoi kryeministrin për mikpritjen dhe shprehu vullnetin e tij për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin e mirë në mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore