Lajme

Ambasadori italian kërkon që vendimmarrësit në Kosovë e Serbi të jenë më pragmatik


Antonello De Riu

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, duke komentuar situatën e krijuar në Veri të Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese nga ana e Bashkimit Evropian, ka deklaruar se nëse në Kosovë dhe Serbia do kishte njerëz që janë më konkret, më racional në vendimet e tyre, të dy vendet nuk kishin ardhur në këtë pikë dhe çështjet mes tyre do të ishin zgjidhur shumë më shpejtë.

Pragmatizmi i një politikani, sipas diplomatit italian, nuk do të thotë domosdoshmërisht mosrespektimi i kushtetutshmërisë së një vendi, por marrja e vendimeve politike nga të cilat do të kishin përfitime qytetarët.

“Të gjitha ligjet e një vendi duhet të respektohen, por duhet të merren vendime politike për disa çështje që nuk janë aq shumë parimore sa po duken, dhe nga këto ecim tutje dhe përfiton popullata”, ka potencuar De Riu, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.

De Rui ndër të tjera ka theksuar se nëse pas prezantimit të draftit të Asociacionit nga ana e Kosovës, Serbia nuk i përmbush angazhimet të cilat i ka marrë përsipër, atëherë Bashkimi Evropian do të ndërmarrë masa edhe ndaj saj.

“Këto masa janë bërë në mënyrë që ti nxisin të dy qeveritë që ti përmbushin angazhimet e tyre. Angazhimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që ta paraqes sa më shpejt një statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe gjë që nuk është bërë nga Qeveria e Kosovës. Në atë moment kur Kosova të përmbush angazhimin e saj dhe ta prezantojë një statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Serbia nëse nuk i përmbush angazhimet e saj të cilat i ka marrë përsipër, atëherë masat analoge do të merren edhe për Serbinë në të njëjtën mënyrë nga Bashkimi Evropian”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore