Lajme

Ambasadori i ShBA-së në Beograd për Ballkanin e Hapur – “Kohë të mira po vinë”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Anthony Godfrey

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Anthony Godfrey, ka deklaruar se ShBA e mbështet integrimin ekonomik të rajonit “Ballkani i Hapur” dhe vlerësoi se “po vinë kohë të mira”.

Ai gjithashtu përgëzoi shtetin e Serbisë për përparimet në njëzet vitet e fundit.

“Ka ende shumë sfida në Serbi për momentin. Jam i kënaqur që Bashkimi Evropian ka hapur disa kapituj dhe se Serbia do të vazhdojë rrugëtimin e saj për në BE. Pengesa tjetër është kompletimi i reformave gjyqësore, përmes referendumit që po vie, dhe ajo është tejet e rëndësishme”, ka deklaruar Godfrey, përcjell “Nova”.

Godfrey i cili është në përfundimit të shërbimit si ambasador në Serbi, tha se “çfarë do të marr me vete është mirëpritja e ngrohtë që kam pasur në Serbi”, ka thënë ai për RTS.

Ndërsa i Dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, javë më parë deklaroi se Amerika mbështet iniciativën rajonale në fjalë, por se ajo duhet të jetë inkluzive me të gjashtë vendet e rajonit.

“Ne mbështesim çdo përpjekje për integrimin ekonomik rajonal Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTA-n dhe Ballkanin e Hapur. Për sa kohë që është e hapur për të gjitha vendet, për sa kohë që ofron sisteme ligjore dhe rregullatore dhe i ngre ato në nivel evropian, për sa kohë që promovon drejtësinë, tregtinë e hapur, ne do t’i mbështesim këto parime”, kishte thënë Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore