Lajme

Ambasada kritikon shkarkimin “e njëanshëm dhe të ngutshëm” të bordit të RTK-së


Ambasada e SHBA-ve në Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka kritikuar shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës nga Kuvendi të enjten.

Për Ambasadën amerikane në Kosovë, shkarkimi u bë me argumentime të pamjaftueshme, apo të mangëta.

“Derisa kosovarët meritojnë llogaridhënie, shkarkimet duhet të bazohen në dëshmi transparente, njëjtë si emërimet që duhet të bazohen në merita”, thuhet në reagimin e amerikanëve.

“Shkarkimet e ngutshme dhe të njëanshme i lëndojnë institucionet publike dhe nuk adresojnë problemet strukturore”.

Si këshillë, ambasada në fund të reagimit shkruan se “reformat afatgjate efektive kërkojnë deliberim (debat), qasje metodike duke vënë interesin e Kosovës së pari dhe atë të partive politike anash”.

 

Shkarkimi i anëtarëve të bordit të RTK-së u bë me 64 vota për dhe asnjë kundër.

Anëtarët e shkarkuar janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyqi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli, Fadil Miftari janë emrat të cilat u shkarkuan nga bordi i RTK-së.

Bashota, që ishte kryetar i Bordit, ka folur për Albanian Post menjëherë pas shkarkimit.

Ai votimin për ta hequr nga detyra, e ka cilësuar si të kundërligjshëm e të padrejtë shkarkimin e bordit të RTK-së nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Është veprim antiligjor, një ndërhyrje tipike politike me veprime tendencioze ndaj anëtarëve të bordit, shumica prej tyre me karrierë profesionale në fushën e medias”, tha Bashota për AP.

Në anën tjetër, argumentimit pro shkarkimit të këtij bordi erdhën kryesisht nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

Si arsye qendrore, kishin “modelin jo adekuat të financimit”.

“Koha është që RTK të mos i shërbejë vetvetes por publikut. 3 milionë deri në 4.5 milionë janë borxhet, i kanë tejkaluar shpenzimet, janë arsyetuar se është hapur RTK-ja më gjuhën serbe”, ka thënë Deputeti i VV-së Armend Muja.

Në anën tjetër, partitë opozitare e kanë kundërshtuar ashpër rekomandimin e komisionit për shkarkimin e bordit.

“E papranueshme të themi se një televizion si RTK-ja nuk ka auditim, nuk jam në emër të PDK-së këtu, ose ta mbroj dikë nga ligji, nuk e mbroj mungesën e punës të asnjë bordi, por kjo nuk është kapje e shtetit, është plasje e shtetit, me një vendim shkarkoni të gjithë bordet e Kosovës” ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kurse, drejtori i Transmetuesit Publik, Ngadhnjim Kastrati, ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

“Ajo çfarë ndodhi sot me mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të bordit të RTK-së është precedent i rrezikshëm për RTK-në, dhe të ardhmen e mediumit publik”.

Të shkarkuarit nuk e kanë ndërmend të pranojnë votën kundër tyre pa zhurmë.

Bashota, për AP tha se tashmë po përgatiten që vendimin për t’u shkarkuar fillimisht e më pas votimin, ta sfidojnë ligjërisht.

“Prej gjykatës kushtetuese e gjitha gjykatat e tjera, sepse është veprim anti-ligjor dhe nuk ka asnjë bazë ligjore. Raporti i Auditimit i vitit 2020 ka qenë një ndër raportet më të mira për vlerësimin e punës së bordit apo menaxhmentit, dhe kjo është ndërhyrje politike nga një parti që do t’i fus militantët e vet në institucione private”,

RTK është televizion publik në Kosovë, me kanale edhe në gjuhën serbe. Është mediumi më i madh në Kosovë, për nga numri i punëtorëve, derisa ka program edhe në gjuhët e tjera zyrtare në Kosovë.

RTK financohet nga buxheti i Kosovës, derisa pjesën tjetër të financimit e siguron nga reklamat me pagesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore