Lajme

Ambasada e SHBA-ve në Serbi: Radosavljeviç duhet të përballet me drejtësinë, jo të marrë nderime


Radosavljeviç ( i dyti nga e djathta, i gjunjëzuar) bashkë me Nebjosa Miniç dhe të tjerë të dyshuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajmi i nderimit me një pllakatë të artë nga Xhandarmëria serbe për Goran Radosavljeviç nuk është përtypur nga misioni amerikan në Serbi. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar në Twitter duke theksuar se Radosavljeviç duhet të përballet me drejtësinë, jo të marrë nderime.

“Ky – referuar Goran Radosavljeviç – ishte gjithashtu njeriu i ngarkuar me kampin ku u gjetën eshtrat e vrara të tre amerikanëve në 1999, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi”.

Radosavljeviç u sanksionua nga SHBA-të për përfshirjen e tij të besueshme në vrasjet e tyre.

Njësia e forcave speciale serbe, ‘Xhandarmëria’ e nderoi ish-komandantin, Goran Radosavljeviç, më herët. Ai akuzohet për përfshirjen në vrasjen e tre shqiptarëve, shtetas amerikanë.

Ndërtimi i situatës

Këta të fundit kishin ardhur në Kosovë për të luftuar së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Komandanti aktual i xhandarmërisë, Dejan Lukoviç, vlerësoi punën e Radosavljeviç. Ai i dorëzoi një pllakë nderi më 30 qershor gjatë një ceremonie që shënonte “Ditën e Xhandarmërisë Serbe” në qytetin verior të Novi Sad-it.

Të tre shqiptarët, vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi – ishin në të 20-at e tyre kur udhëtuan nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë në vitin 1999 për t’u bashkuar me UCK-në në luftën kundër ushtrisë serbe.

Vëllezërit e lindur në Çikago u arrestuan në Serbi në qershor 1999, dy javë pasi përfunduan luftimet.

Ata u qëlluan më vonë për vdekje ndërsa po ruheshin nga një njësi speciale policore serbe, nën komandën e Radosavljeviç.

Eshtrat e tyre u zbuluan në një varr masiv në fshatin Petrovo Selo në Serbinë lindore në korrik të 2001.

Askush nuk është dënuar në lidhje me vrasjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore