Pajisje

Amazon One ngre shqetësime mes senatorëve amerikanë


Tre senatorë amerikanë, përfshirë demokraten Amy Klobuchar, e cila kryeson panelin antitrust të Komitetit Gjyqësor të Senatit, i kanë shkruar një letër Amazon-it për të shprehur shqetësimin në lidhje me sistemin e saj të njohjes biometrike.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kompania teknologjike ka nisur ta përhapë teknologjinë biometrike në dyqanet e saj Whole Foods në Seattle në muajin prill.

Kjo teknologji e re i ka lejuar blerësit të paguajnë për artikujt me një skanim të pëllëmbës së tyre. Sistemi i quajtur Amazon One, i ka lejuar klientët të lidhin një kartë krediti përmes skanimit të pëllëmbës së dorës.

Klobuchar, të cilës iu bashkuan senatorët Bill Cassidy, një republikan dhe Jon Ossoff, një demokrat, shprehën shqetësim në letrën e së enjtes së 12 gushtit për privatësinë dhe konkurrencën në lidhje me Amazon One.

“Shqetësimet tona për privatësinë e përdoruesit janë shtuar nga dëshmitë që Amazon-i ndau të dhënat e zërit me kontraktorët e palëve të treta dhe pretendimet se Amazon-i ka shkelur ligjet biometrike të privatësisë”, kanë shkruar ligjvënësit në letër.

Ata kanë shtuar se “ne jemi gjithashtu të shqetësuar se Amazon-i mund të përdorë të dhëna nga Amazon One, përfshirë të dhëna nga klientët e palëve të treta që mund të blejnë dhe përdorin pajisje Amazon One, për të forcuar më tej fuqinë e tij konkurruese dhe për të shtypur konkurrencën në tregje të ndryshme”.

“Reuters” tregon se tre ligjvënësit e kanë pyetur Amazon-in mbi planet për të zgjeruar Amazon One, dhe kujt i kishin shitur ose licencuar teknologjinë.

Ata gjithashtu e kanë pyetur kompaninë se sa njerëz ishin regjistruar për të, si përdoren të dhënat dhe nëse çiftëzohen ndonjëherë me sistemet e njohjes së fytyrës.

Nga ana tjetër, vetë Amazon-i ka refuzuar të komentojë menjëherë, por ka vënë në dukje një postim në blog të datës 21 prill, i cili dallon se ishte në “diskutime aktive me disa klientë të mundshëm”.

Më tej, ravijëzohet se Amazon One ishte projektuar të ishte “shumë i sigurt”.

“Pajisja Amazon One mbrohet nga kontrolle të shumta sigurie dhe imazhet e pëllëmbës së dorës nuk ruhen kurrë në pajisjen Amazon One. Përkundrazi, imazhet janë të koduara dhe dërgohen në një zonë shumë të sigurt që e kemi krijuar me porosi për Amazon One në cloud”, ka vijuar postimi në blog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore