Lajme

Alon Ben Meir: Lidhja e Vuçiç-it me Rusinë, pengesë në zbatimin e Marrëveshjes


Alon Ben Meir

Kur emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi më 21 mars se Aneksi i Planit Evropian paraqet “pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shumë njerëz e kanë marrë atë si të mirëqenë.

Për njohësin e dinamikave politike në Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, optimizmi i shprehur nga diplomati sllovak se marrëveshja e re e arritur midis Kosovës dhe Serbisë më 18 mars në Ohër paraqet “sukeses” është një deklaratë e ekzagjëruar.

“Marrëveshja verbale e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në Ohër të Maqedonisë Veriore paraqet një zhvillim pozitiv, por ka shumë pengesa dhe një numër të konsiderueshëm paqartësish që do ta vështirësojnë zbatimin e plotë”, shkroi ai në Twitter.

Pritej që Aneksi t’i përcaktonte afatet kohore dhe renditjen e duhur të paragrafëve të rënë dakord paraprakisht në Bruksel. Kjo, kryesisht, mungon. Për më tepër, mungojnë edhe mekanizmat e nevojshëm të zbatimit, për ta shndërruar në realitet atë që thuhet në letër.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, sipas ekspertit amerikan, mund t’i tejkalojnë këto pengesa me kusht që të marrin masa për të ruajtur ligjshmërinë në marrëveshje nga njëra anë dhe të artikulojnë qartë se çka përfiton Kosova e Serbia dhe cilat do të jenë pasojat nëse nuk e zbatojnë atë.

“Një pengesë me të cilën do të ndeshet Kosova dhe Serbia është përkushtimi i fortë i [Aleksandër] Vuçiç-it për të ruajtur lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, aleatin e saj sllav, dhe dëshira e tij për të kënaqur grupet e ekstremit të djathtë në vendin e tij që e shohin Kosovën si djepin e shtetit serb dhe fesë ortodokse”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb paraprakisht ishin pajtuar me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizoheh statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore