Shqipëria

Alibeaj përjashton katër deputetë nga Grupi Parlamentar i PD-së


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka përjashtuar prej grupacionit të djathtë në Kuvendin e Shqipërisë katër emra, të cilët janë deputetët Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj.

Arsyeja e këtij përjashtimit, lidhet me protestën e dhunshme të ndodhur më 8 janar 2022 në godinën e PD-së, ku grupimi i Sali Berishës, sot kryetar i kësaj force politike, mësyu selinë.

Katër deputetëve, u ishte lënë kohë një vit, për t’u distancuar nga kjo dhunë. Por, ata qëndruan në krah të Berishës sa i përket çështjes së drejtimit të demokratëve.

Më parë nga grupi, janë përjashtuar edhe deputetët Albana Vokshi, Edmond Spaho, Flamur Noka dhe Luan Baçi.

Sipas njoftimit të dhënë nga vetë Alibeaj, prej datës 11 janar, këta deputetë nuk do të jenë më në listën e Grupit Parlamentar PD.

Vendimi në të cilin ai e argumenton këtë, është ai numër 1, datë 10 janar 2022, i cili është marrë asokohe nga Kryesia e Partisë Demokratike dhe është konfirmuar nga Këshilli Kombëtar dhe më tej nga Grupi Parlamentar, në mbledhjen e datës 15 janar 2022.

I gjithë zhvillimi vjen vetëm një javë përpara mbajtjes së gjyqit për drejtimin e Partisë Demokratike, ku grupi Berisha përballet me apelimin e Alibeajt.

Ndarja përfundimtare e PD-së në dy kampe ishte lajmëruar prej kohësh, por mori formë të prerë me largimin e Lulzim Bashës si kryetar i forcës politike.

Kjo gjë, i hapi rrugë një procesi të zhvilluar nga Berisha, për zgjedhjen fillimit të strukturave e më pas edhe të kryetarit, garë të cilën ai vetë e fitoi.

Grupimi i Alibeajt gjithsesi nuk e njohu garën dhe e quajti fiktive atë, duke i dalë kundër edhe fitores së Berishës.

Pavarësisht këtij fakti, ishte Gjykata e Tiranës, ajo e cila fillimisht i dha të drejtë Berishës dhe ndryshimeve statutore që ai kreu në një Kuvend të mbajtur më 11 dhjetor 2021.

Alibeaj e apeloi çështjen dhe ajo për disa herë është shtyrë, ku seanca e radhës është caktuar më 17 janar 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore