Lajme

Ali Ahmeti: Evropa s’mund të jetë e qetë pa zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, ka thënë këtë të enjte se Evropa nuk mund të ketë qetësi përderisa nuk zgjidhet problemi që ekziston në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ahmeti në Forumin e Prespës për Dialog, që po mbahet në Strugë theksoi se “rajonit të Ballkanit Perëndimor i duhet edhe pajtimi”, dhe për këtë dha shembullin e dy shteteve evropiane që kanë qenë në luftë, dhe të cilat tani kanë raporte të mira me njëra tjetrën.

“Në këtë drejtim Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë më shumë, siç është problemi Kosovë-Serbi”, deklaroi Ahmeti.

Tutje, ai potencoi se e ka përsëritur disa herë që “me hasmëri shekullore nuk jetohet”, duke shtuar se “një problem që ekziston duhet zgjidhur”.

“Jam i vetëdijshëm që për të zgjedhur probleme kaq të vështira duhet vullnet i dyanshëm, por mendoj që edhe inkurajimi dhe përkrahja është vendimtare, përkundër vullnetit që mund të shprehet nga palët”.

“Por ama edhe Evropa nuk mund të jetë e qetë pa zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi”, pohoi Ahmeti.

Ndërkaq, Ahmeti të mërkurën ka reaguar edhe për kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, akt të cilin ai e dënoi fuqishëm dhe kërkoi “lirimin e menjëhershëm të tyre”.

“Pala serbe duhet t’i ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjellë”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ndërkaq, kreu i BDI-së theksoi se integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës “është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar”.

Ndryshe, 3 policë të Kosovës janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

Në vazhdën e tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, janë rrëmbyer tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore