Lajme

Ales Bialiatski, fitues i çmimit Nobel për Paqe, dënohet me 10 vite burg


Një gjykatë në Bjellorusi ka dënuar fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski me 10 vjet burg.

Ai u dënua për kontrabandë dhe financim të “veprimeve që shkelin rëndë rendin publik”, tha grupi i të drejtave të njeriut Viasna.

Mbështetësit e Bialiatski, 60 vjeç, thonë se regjimi autoritar i liderit bjellorus Aleksandër Lukashenko po përpiqet që t’i mbyllë gojën atij.

Bialiatski ishte një nga tre fituesit e Çmimit Nobel për Paqen 2022.

Ai u arrestua në vitin 2021 pas protestave masive në rrugë për zgjedhjet e diskutueshme gjerësisht që mbajtën liderin për një kohë të gjatë të Bjellorusisë në pushtet vitin e kaluar.

Demonstruesit u ndeshën me brutalitetin e policisë dhe kritikët e Lukashenkos u arrestuan dhe burgoseshin rregullisht gjatë demonstratave, të cilat filluan në vitin 2020.

Bialiatski është arrestuar 25 herë

Ales Bialiatski lindi në Karelia, Rusi, më 25 shtator 1962. Ai festoi ditëlindjen e tij të 60-të në një burg të Bjellorusisë. Nuk është hera e parë: Bialiatski themeloi qendrën e të drejtave të njeriut Viasna, që do të thotë pranverë, në 1996 në Minsk.

Që atëherë ai është arrestuar 25 herë. E fundit në vitin 2020, kur shpërtheu revolta e madhe paqësore në Bjellorusi që dukej sikur do të përmbyste diktaturën e Lukashenko-s.

Sot Bialiatski, me një diplomë në histori dhe filologji, flokë të thinjura dhe mjekër, po mbahet në një qeli të errët në bodrumin e një burgu të sigurisë maksimale, njoftoi Viasna në një deklaratë në fund të shtatorit.

Pak dritë, pothuajse asnjë qasje në korrespondencë. Por rasti i tij nuk është i vetmi. Vetëm në muajin e fundit, tha Viasna, 387 kundërshtarë dhe demonstrues janë arrestuar në Bjellorusi. Lajmi i Nobel-it, nëse i ka mbërritur në bodrumin pas hekurave ku ai jeton, do t’i ketë vajtur me vonesë.

Gruaja e tij, Natallia Pinchuk, shprehu falenderimet në vend të tij: “Jam e pushtuar nga emocionet”, tha ajo për agjencinë “France Press” . “Unë shpreh mirënjohjen time të thellë për Komitetin Nobel dhe për komunitetin ndërkombëtar për njohjen e punës së Ales, të kolegëve dhe organizatës së tij”.

Një dritë për një njeri të arrestuar 25 herë që jeton një i burgosur në errësirë.

Ales Bialiatski, fitues i çmimit Nobel për Paqe, i burgosur në terr

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore