Sport

Alen Sherri flet për Albanian Post pas ftesës nga Reja: I emocionuar që do jem pjesë e Kombëtares A


Alen Sherri, portieri i skuadrës së Laçit në Kategorinë Superiore, ishte një nga emrat surprizë në listën e Kombëtares së Shqipërisë, për dy ndeshjet miqësore përballë Uellsit dhe Çekisë, të cilat do të luhen në fillim të qershorit.

Për Albanian Post (AP), 23-vjeçari rrëfen për ndjesinë që pati kur mori ftesën e Kombëtares A të Shqipërisë. Shkodrani thotë se u ndje krenar që emri i tij ishte në listën e lojtarëve të ftuar nga trajneri Edoardo Reja.

“T’ju them të drejtën u emocionova shumë kur m’u komunikua se do të jem pjesë e Kombëtares A”, tha fillimisht Sherri për AP-në.

Sipas tij, ëndrra e çdo futbollisti, për të cilën punon çdo ditë, është që “një ditë të arrijë të luajë për Kombëtaren. Ndihem krenar që më erdhi kjo ftesë”.

Shkodrani zbulon për AP-në, se ky ka qenë qëllimi i tij kryesor, personal, të cilin ia kishte vendosur vetes që në çelje të sezonit. Tanimë që u bë realitet, “ndihem i lumtur”.

Megjithatë, përballë kësaj ftese, ai rrëfen edhe për emocionet që e kanë “kapluar”.

Tani, thotë ai, duhet që të punojë më fort, në mënyrë që kjo të mos jetë ftesa e vetme dhe “të thirrem, pse jo, vazhdimisht nga Kombëtarja shqiptare”.

Një emocion që nuk mund të përshkruhet me fjalë për Sherrin është dhe përfaqësimi i ngjyrave kuqezi.

Ai thotë se “të përfaqësosh ngjyrat kuqezi është emocion i papërshkrueshëm. Ne rritemi duke bërë tifo për këto ngjyra dhe të arrish një ditë t’i përfaqësosh është një gjë shumë e veçantë”.

Megjithatë, ish-portieri i Vllaznisë është i vetëdijshëm se, pas kësaj ftese, ai duhet të punojë edhe më shumë, pasi “siç thonë gjithmonë, nuk është e vështirë të arrish diçka, e vështirë është ta mbash. Për këtë dua të punoj edhe më shumë”.

Për AP-në, shkodrani ka folur edhe për të ardhmen e tij. Ai nuk e përjashton dëshirën për t’u larguar drejt një kampionati më të fortë, por “tani, që arritëm objektivat me ekipin e Laçit, jam i përqendruar te kjo skuadër, si dhe për të filluar punën për Kupat e Europës dhe për sezonin e ri”.

Megjithatë, përmbyll shtatlarti shkodran, “së ardhmes nuk i dihet asnjëherë, normalisht shpresoj që të transferohem në një kampionat më të fortë”.

23-vjeçari është një nga katër lojtarët e Superiores, të cilët janë pjesë e listës së Shqipërisë. Së bashku me shkodranin janë edhe Romeo Harizaj (Apolonia – portier), Taulant Seferi (Tirana – sulmues) dhe Erjon Hoxhallari (Tirana – mbrojtës).

Në mungesë të të dy portierëve titullarë te Shqipëria, Thomas Strakoshës dhe Etrit Berishës, shanset për Sherrin janë të mëdha, që të bëjë debutimin në ndeshjen e parë miqësore kundër Uellsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore