Lajme

Aksioni i Krimeve Ekonomike në Gjakovë, një ekip nga Belgjika pjesë e tij – Policia jep detaje


Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht hetuesit nga Sektori për Hetime Financiare, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku kanë kontrolluar 3 lokacione në Komunën e Gjakovës.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, ky operacion është zhvilluar pasi autoritetet e Belgjikës kanë dërguar kërkesë pranë autoriteteve shtetërore të Kosovës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, e cila kërkesë është përcjellë në DHKEK nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës për zbatim.

Siç thuhet në njoftim, dyshohet se shtetas të Kosovës në bashkëveprim me disa shtetas të Belgjikës gjatë periudhës kohore 2020 -2022 janë marrë me veprimtari penale dhe “dyshohet të kenë krijuar të ardhura të mëdha të cilat përmes rrugëve të ndryshme i kane transferuar në Kosovë duke investuar në paluajtshmëri”.

“Gjatë kontrollit është arritur të sigurohen fatura të shpenzimeve, të cilat të dyshuarit i kanë investuar në Kosovë, e që dyshohet të jenë produkt i veprave penale të kryera nga ana e tyre”, thuhet aty.

Bëhet me dije se gjatë kontrollit kanë marrë pjesë edhe një ekip nga Belgjika, përkatësisht një gjyqtar hetues dhe tre hetues policorë, bazuar në lejen e autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Po ashtu, nënvizohet se rasti vazhdon të hetohet në bashkëveprim me autoritetet e Belgjikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore