Lajme

Aksident në magjistralen Pejë-Mitrovicë, lëndohen 12 nxënës


Ilustrim

Një aksident mes dy automjeteve ka ndodhur të enjten e 23 nëntorit në magjistralen Pejë-Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Gurrakoc të Komunës së Istogut, ku janë lënduar 14 persona, prej tyre 12 nxënës dhe dy shoferë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira një veturë dhe një kombi-bus, ndërsa ka shtuar se personat e përfshirë në kanë marrë trajtim mjekësor.

“Nxënësit dhe dy vozitësit fillimisht janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Istogut, ku më pas janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës. Të gjithë janë liruar për në shtëpi, përpos një nxënësi që po trajtohet. Ai gjendet jashtë rrezikut për jetë”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, derisa ka apeluar që pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor dhe t’u përshtaten kushteve të rrugës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore