Kosova

AKP-ja dhe policia ndërhyjnë në zyrat e “AgroKosova Holding”, ndërmarrja merret nën administrim


Fotografia nga vendi i ngjarjes në ndërmarrjen "AgroKosova Holding"

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e shoqëruar nga Policia e Kosovës, këtë të enjte kanë shkuar në zyrat e Ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, apo ish ndërmarrja shoqërore “NBI Suhakera” me qëllim të tërheqjes së aksioneve në atë mënyrë vendosjen nën administrim të drejtpërdrejtë të kësaj ndërmarrjeje.

Megjithatë, ndërmarrja në fjalë ka kundërshtuar lirimin e objektit.

Dy palët kanë pasur përplasje verbale, ku pronari dhe avokati i kësaj ndërmarrjeje kanë kërkuar bazën ligjore të AKP-së për këtë veprim, por nga AKP kanë thënë se “objekti duhet lëshuar”.

“Do të përballeni me Ligjin”, iu ka kthyer avokatja e AgroKosova Holding.

Mirëpo, AKP pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e tërheqjes së aksioneve ka njoftuar se ndërmarrja në fjalë tani e tutje do të jetë nën administrimin e drejtpërdrejtë të kësaj agjencie.

“Me këtë rast, AKP, i bën thirrje të gjithë punëtorëve aktual, të të gjitha profileve, të cilët kanë marrëdhënie pune në ndërmarrjen e re Agrokosova Holding të vazhdojnë punën dhe të mos largohen nga vendet e punës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe gjatë aksionit të Policisë së Kosovës të cilët ishin prezentë me një numër të madh të pjesëtarëve, është arrestuar edhe kameramani i agjencisë së lajmeve, Ekonomia Online, i cili ishte duke mbuluar ngjarjen e ndërhyrjes së AKP-së në ndërmarrjen në fjalë.

Arrestimi i kameramanit të Ekonomia Online

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore