Lajme

AKI-ja s’pati çfarë të thotë për “plan-tentim-atentatin” ndaj kryeministrit Kurti


Petrit Ajeti

Drejtorit i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, të mërkurën ka raportuar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrje të kësaj Agjencie. Raportimi siç e do zakoni ka qenë e mbyllur për media.

Ndërsa pas përfundimit të mbledhjes zëvendëskryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Salih Zyba, nuk ka dhënë shumë detaje se për takimin me drejtorin e AKI-së.

Megjithatë ai ka konfirmuar se në takim është diskutuar edhe “ plan – tentim – atentati” ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Shkup, raportim ky i cili u mohua në mënyrë kategorike nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

“Qëllimi i takimit ishte kjo, por takimi ishte e mbyllur dhe kështu e konsiderojë që nuk kam asgjë të veçantë për të deklaruar”, ka thënë Zyba kur është pyetur për “ plan – tentim – atentatin”.

I pyetur se a ka rrezik për ndonjë eskalim nga Serbia, Zyba i është shmangur pyetjes duke thënë se nuk ai i cili mund të vlerësojë një gjë të tillë.

“Pyetjen adresoni diku tjetër, s’është çështje e jona”, ka thënë ai ndërsa ka potencuar se rreziku prej Serbisë është permanent çdoherë.

Detaje për takimin nuk ka dhënë as anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

I pyetur nga Albanian Post për çështjen e “ plan – tentim – atentati” ndaj Kurtit, Gashi ka thënë se diskutimi me Ajetin ka qenë rutinore.

“Ka qenë diskutim rutinor, nuk mund të jap më shumë detaje”, është shprehur ai për AP.

Në anën tjetër Bekë Berisha nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Radio Televizioni Publik i Kosovës, RTK, raportoi javë më parë për një plan për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Shkup.

Sipas RTK-së, burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Sipas RTK-së vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

Por, ky raportim u mohua nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore