Kosova

Akademia e Shkencave dhe e Arteve -organizon Konferencën Shkencore “Gjenocidi dhe Masakrat e Serbisë në Kosovë”


Akademia e Shkencës dhe Arteve në Kosovë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, këtë të premte të 28 prillit, organizon Konferencën Shkencore, “Gjenocidi dhe Masakrat e Serbisë në Kosovë (1998-1999)”.

Akademiku Isa Mustafa, ka bërë të ditur se në “Konferencë do të prezantohen 21 kumtesa nga studiues vendor si dhe nga studiues ndërkombëtar nga SHBA, Italia, Finlanda, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka treguar se Konferenca do të fillojë me Videon, “Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 në kujtesën e të mbijetuarve (e përgatitur nga Radiotelevizioni i Kosovës, përzgjedhur në bashkëpunim me ASHAK)”.

“Ndërkaq, në përmbledhjen e punimeve do të përfshihen edhe mbi njëzetë rrëfime të të përjetuarve nga masakrat e Serbisë”, ka sqaruar më tej ish kryetari i LDK-së.

Në kumtesa dhe rrëfime të dokumentuara, tregon Mustafa, “do të dëshmohet e vërteta shkencore dhe historike mbi gjenocidin, masakrat dhe dhunën e Serbisë, me objektiv që këto veprime të mos përsëriten kurrë”.

Kjo, sipas akademikut Mustafa, “që kryerësit e krimeve monstruoze të të japin përgjegjësi, si parakusht për siguri, paqe dhe stabilitet në këtë pjesë të Evropës”.

Konferenca fillon nga ora 10:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore