Sport

Akademia e Rafa Nadal së shpejti në Shqipëri


Akademia e tenisit e një prej yjeve më të mëdhenj të sportit, Rafael Nadal, së shpejti mund të ketë një degë të saj në Shqipëri, ka bërë me dije kryeministri Edi Rama.

Gjatë prezantimit të projektit të Akademisë së Manchester City-t në Durrës, kryeministri Rama ka folur edhe për hapjen e një mundësie për të apasionuarit pas tenisit.

“Kemi hyrë në diskutime për të sjellë pranë akademisë së Manchester City-t, akademinë e Rafa Nadal, një akademi tenisi e cila shpresoj dhe besoj që do t’i bashkëngjitet kampusit të Manchester City-t”, tha Rama.

Akademia Rafa Nadal hapi dyert e saj në fund të vitit 2016 me synimin për të ofruar kampe stërvitore tenisi me cilësi të lartë për të rinjtë dhe të rriturit.

Kampet kryhen nga trajnerët e Akademisë Rafa Nadal të udhëhequr nga Toni Nadal, i cili ndjek një metodologji ekskluzive stërvitore që bazohet në përvojën shumëvjeçare që Rafa Nadal dhe ekipi i tij kanë mbledhur gjatë viteve të tyre në qarkun ATP.

Qendra kryesore e saj ndodhet në Spanjë, por ajo është shtrirë në mbarë botën ndërmjet kampeve të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore