Sport

Akademia e Manchester City-t në Shqipëri, ekskluzive për gjithë Ballkanin


Është prezantuar zyrtarisht këtë të mërkurë projekti për akademinë e Manchester City-t, e cila do të vendoset në Durrës.

Me praninë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, kryebashkiakes së Durrësit Ermiriana Sako, ministres së Arsmit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, përfaqësuesve nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), nga vetë klubi i “Qytetarëve” dhe aktorë të tjerë të përfshirë, në ambientete e COD-it në Kryeministri është shpalosur projekti i akademisë së Manchester City-t.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka mori fjalën i pari. Kreu i qeverisë së futbollit në Shqipëri theksoi se “rasti i City-t është punë, punë dhe vetëm punë. Pjesë e këtij projekti tentojmë të bëhemi edhe ne. Jo për të vjedhur rezultatet e City-t, por për të mësuar nga ato që ka bërë City-t dhe për t’i implementuar”.

“Jam shumë i sigurtë se do të jetë një projekt i suksesshëm jo vetëm për Durrësin, por për të gjithë Shqipërinë”, shtoi Duka, njëkohësisht edhe zëvendëspresident i UEFA-s.

Edi Rama

Kryeministri Rama tha në fjalën e tij: “Më vjen mirë që arritëm jo vetëm të kemi një kontratrë për ta ndërtuar këtu këtë akademi por të kemi edhe një ekskluzivitet për të gjithë rajonin e Ballkanit, me kusht të kontratës që në rast se në të ardhmen do të hapet një stacion tjetër i Manchester City, Bashkia e Durrësit do të jetë partnere edhe atje”.

“Federata të promovojë këtë projekt dhe të ndihmojë me të gjitha klubet e futbollit në Shqipëri por edhe me klubet e futbollit në rajon për të kthyer sytë e trokitur në derën e kësaj akademie ku duam që të mblidhet ajka e talentit që ka ky vend, që në moshë të vogël në këtë sport që është më popullori në botë”.

“Kemi marrë një projekt pa lekë, është kulmi, dhe Marko (Marco Casamonti – arkitekt) me shumë kënaqësi në fakt, të paktën kështu u duke në telefon. Të marrësh dhuratë nga Marko nuk është e lehtë”.

“Do të kemi një kampus të një ekselence arkitektonike dhe funksionale”, tha Rama ndër të tjera.

Në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit që Manchester City ka lidhur me Fondacionin “Dyrrah City Football Academy”, si dhe marrëveshjes paraprake me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, e firmosur në prill 2023, çelja e sezonit të parë të akademisë do të jetë në shtator të 2024.

Pamje nga projekti i Akademisë së Manchester City-t në Durrës:

Akademia e Rafa Nadal së shpejti në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore