Lajme

Ahmeti: Ministria e Financave s’mund t’i bllokojë pagat në mënyrë arbitrare, për këtë vendos Komuna


Shpend Ahmeti

Sipas ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mësimdhënësit janë punëtor të komunave dhe si rrjedhojë ata janë në listën e pagave të komunave dhe paguhen nga buxhetet e komunave.

Në këtë rast shpjegon Ahmeti, Ministria e Arsimit nuk mund të jetë mbi komunën, pra sipas tij mos-alokimi i pagave ndaj një numri të konsiderueshëm të punëtorëve të arsimit është çështje eksplicite e komunave, dhe jo e Ministrisë së Financave.

“Çdo komunë deri me datën 10 përgatit listën e pagave për muajin e ardhshëm dhe pagat ekzekutohen nga ministria e financave. Me datën 10 punëtorët s’kanë qenë në grevë. Qeveria ju ka dërguar komunave kërkesën për listën e punëtorëve grevistë të cilën nuk kam informatë se e ka dërguar dikush. MF ka bllokuar ekzekutimin e pagave për organizatat buxhetore që nuk i kanë dërguar. Prandaj pagat nuk i kanë marr as mjekët e shëndetësisë primare e as shërbyesit civil nëpër komuna”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin e tij social në Facebook.

Prandaj sipas tij bllokimi i pagave nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin e komunave.

“Nuk ka gjasa teorike që qeveria me dit kush ka shkuar në punë e kush jo, sepse shkollat i raportojnë Komunës”, ka shpjeguar ai.

Në anën tjetër sipas ish-nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ndalesa e pagave për punëtorët që nuk janë në grevë është shkelje e rëndë ligjore.

Kjo situatë është katastrofike për qytetarët tonë. Përveç mungesës së mësimit që ashtu kështu ka probleme me cilësi, ndalja e pagave në këtë situatë ekonomike rrezikon mirëqenien e shëndetin e qindra mijëra njerëzve në Kosovë.

Mungesa e dialogut ndërmjet palëve sipas Ahmetit është e pakuptueshme.

“Siç patëm thënë shpesh – me u taku me Serbinë po e ndërmjet veti jo është absurd”.

Çka ndodhi?

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka shtuar ai.

Murati ka mohuar se dikasteri të cilën ai e drejton ka kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore