Kosova

Agrokosova rikthehet tek ish-blerësit, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës


Moment nga largimi i punëtorëve të AgroKosovës nga vendi i punës, 3 shkurt 2022

Ndërmarrja Agrokosova këtë të hënë do të kalojë tek ish-blerësi.

Lajmin e ka bërë publik vetë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pas aktvendimit nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në Kosovë.

Më 24 maj 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka pranuar Aktvendimin nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në të cilën me shumicë votash është vendosur masë e përkohshme ndaj vendimit të Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes së re Agrokosova nën administrim direkt të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të Agrokosovës.

“Me këtë përkohësisht është vendosur që një pronë me interes publik për zhvillimin ekonomik të Kosovës të largohet nga administrimi i një institucioni shtetëror siç është AKP-ja dhe të kthehet nën administrim të palës private”, thuhet në komunikatë.

AKP-ja thotë se planifikon ta bëjë pranim-dorëzimin më 30 maj 2022 në ora 11:00 në objektet e Agrokosovës.

Më 3 shkurt AKP nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës kishte shkuar në zyrat e AgroKosova Holding, duke marr nën administrim këtë ndërmarrje.

Sipas AKP-së, ky veprim ishte bërë pas tërheqjes së aksioneve nga kjo ndërmarrje.

“Pas përfundimit të procedurave të nevojshme me rastin e tërheqjes së aksioneve sot ka ekzekutuar vendosjen e ndërmarrjes së re AgroKosova Holding (ish-NBI Suhareka), e cila tani e tutje do të jetë nën administrimin të drejtpërdrejt të AKP-së”, thuhej në njoftimin e AKP-së.

Kjo, pasi që pak dtë para ekzekutimit të vendimit, Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte marr vendim për vendosjen në administrim këtë ndërmarrje.

Nga AgroKosova patën kundërshtuar ta lirojnë objektin ku dhe ka pasur përplasje me fjalë mes tyre dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në këtë rast policia kishte arrestuar një kameraman në detyrë.

Historiku i privatizimit

AgroKosova Holding apo ish-NBI Suhareka është privatizuar më datën 27 gusht 2007 nga blerësit Gruppo Vinicolo Fantinel dhe QMI përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e XIX-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999 euro.

Njëri nga zotimet e kontraktuara ishte që bleri të bëjë investime në vlerë prej 8.6 milionë eurove brenda periudhës dy vjeçare.

Te pjesa e punësimit, blerësi zotohej se do të punësonte minimum 172 punëtorë për 6 muajt e parë, ndërsa gjatë vitit të dytë të punësonte minimum 345 punëtorë.

AKP thotë se si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 euro, për të cilat ndëshkime blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për të cilat ende nuk ka vendim përfundimtar, shkruan Telegrafi.

Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në ndërmarrjen AgroKosova Holding janë realizuar pesë auditime të jashtme.

Po ashtu, AKP thotë se blerësi dhe ndërmarrja kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse sipas tyre janë përmbushur vetëm 24.67 për qind e zotimeve për punësim, deri më 15 prill 2017.

Në anën tjetër, AKP thotë se shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79 për qind. Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 7,378,005.82 nga vlera prej 8.6 milionë e paraparë në kontratë.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, AKP thekson se në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor si dhe në përputhje me Marrëveshjen e Zotimit, Bordi i Drejtorëve ka miratuar tërheqjen e aksioneve të AgroKosova Holding nga Suhareka dhe kthimin e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Veç kësaj, AKP thotë se ka marr vendim që të kërkohet nga blerësi që të kthej mjetet e shpronësimit të cilat i janë paguar nga Qeveria e Kosovës për shpronësimin e disa pronave të ndërmarrjes për nevoja të autostradës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore