Lajme

Agresioni rus nënvizon nevojën për një Indo-Paqësor “të lirë dhe të hapur”


Trazirat e shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës kanë nënvizuar nevojën për një rajon të lirë Indo-Paqësor, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden, në fillim të një takimi me partnerët rajonalë.

Takim, të cilin Pekini e ka kritikuar si një përpjekje të udhëhequr nga SHBA-të për të frenuar Kinën.

Biden dhe udhëheqësit e një aleance të lirshme të njohur si Quad – India, Japonia dhe Australia – riafirmuan angazhimin e tyre për një Indo-Paqësor “të lirë dhe të hapur” gjatë bisedimeve në Tokio të martën.

Komentet erdhën një ditë, pasi presidenti amerikan tha se Washington-i do të ishte i gatshëm të ndërhynte ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin, duke bërë që Kina ta akuzonte atë se “luan me zjarrin”.

Më vonë, Biden u duk se u përpoq të zvogëlonte komentet e tij, duke thënë se politika e SHBA-ve, e “paqartësisë strategjike” ndaj Tajvanit, mbeti e pandryshuar, sipas raporteve të mediave.

Washington-it i kërkohet me ligj që të sigurojë Tajvanin me armë për vetëmbrojtje, por nën një politikë dhjetëvjeçare të paqartësisë strategjike, ai kurrë nuk është zotuar në mënyrë eksplicite të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur ishullin në rast të një sulmi kinez – një qëndrim, të cilin Biden duket se ka kundërshtuar.

Por të martën, Biden, i pyetur nëse kishte pasur ndonjë ndryshim në politikën e SHBA-ve ndaj Tajvanit, u përgjigj: “Jo”.

“Politika nuk ka ndryshuar fare”, tha ai. “E thashë këtë kur bëra deklaratën time”.

Takimi Quad pritej të errësohej nga mosmarrëveshjet me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, se si t’i përgjigjej pushtimit rus të Ukrainës.

“Kjo ka të bëjë me demokracitë kundrejt autokracive dhe ne duhet të sigurohemi që t’ia dalim”, tha Biden në fillim të takimit me Modin, kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, dhe kryeministrin e ri të Australisë, Anthony Albanese.

Me Modin të ulur afër, Biden tha se liderët po “lundronin nëpër një orë të errët në historinë tonë të përbashkët”, për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

Strategjia e SHBA-ve ishte për një Indo-Paqësor të lirë, të hapur, të lidhur, të sigurt dhe elastik, tha Biden.

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vetëm sa rrit rëndësinë e këtyre qëllimeve – parimeve themelore të rendit ndërkombëtar”.

Kishida tha se pushtimi rus “tund themelet e rendit ndërkombëtar” dhe ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj parimeve të Kombeve të Bashkuara.

“Ne nuk duhet të lejojmë që gjëra të ngjashme të ndodhin në rajonin Indo-Paqësor”, tha ai.

Të katër liderët ishin të etur për të paraqitur një front të bashkuar, por ka përçarje në prapaskenë.

Ndërsa Japonia dhe Australia janë bashkuar me SHBA-në në dënimin e pushtimit rus dhe vendosjen e sanksioneve, India, e cila blen shumicën e pajisjeve të saj ushtarake nga Rusia, deri më tani ka refuzuar t’i marrë këto masa.

Nga ana tjetër, Kina e ka përshkruar Quad-in si një përpjekje për të formuar një version aziatik të NATO-s, megjithëse katër anëtarët nuk kanë rënë dakord për një pakt të mbrojtjes reciproke.

Anëtarët e Quad-it thonë se grupi ka për qëllim të thellojë lidhjet ekonomike, diplomatike dhe ushtarake midis katër vendeve.

Biden tha se grupimi kishte një rëndësi në rritje, duke e quajtur atë një partneritet
“qendror”.

“Në një kohë të shkurtër, ne kemi treguar se Quad nuk është thjesht një modë kalimtare. E kemi fjalën për biznesin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore