Lajme

AGK: Të mos bëhet presion nga pushteti ndaj gazetares së RTK-së, pas bojkotimit të konferencës së ministres Hajdari


Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj presionit publik që po i bëhet gazetares së Radio Televizionit të Kosovës (RTK), nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pas bojkotimit të konferencës së ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, të martën.

Përmes një komunikate për media nga AGK-ja është thënë se po i bëhet “presion publik” gazetarës nga deputetët.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellur me shqetësim presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp të Ministres së MINT, Rozeta Hajdari, bashkë me shumicën e kolegëve të mediave tjera”.

Nga AGK-ja janë përmendur edhe disa nga reagimet e deputetëve ndaj gazetarës.

“Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”.

“Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares”.

Asociacioni ka kërkuar nga pushteti që të mos bejë presion ndaj gazetarëve të cilët janë pjesë e RTK-së.

“AGK-ja, e konsideron bojkotin e së martës, si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe medieve, dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik”.

“Gjithashtu, AGK-ja e fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren”.

Për shkak të vendimeve arbitrare, gazetarët e mediave të Kosovës e kanë bojkotuar konferencën e ministres Rozeta Hajdari dhe ia kanë hequr mikrofonat derisa ajo filloi të fliste në konferencë për media, të martën.

Kjo ka ndodhur për shkak të vendimit të Ministrisë së Industrisë për t’ia pezulluar licencën e biznesit mediumit Klan Kosova javën e kaluar.

Për të njëjtën arsye në sheshin Zahir Pajaziti nga mediat e ndryshme dhe shoqëria civile ishte marshuar duke e mbajtur një banerë të gjerë në dorë me mbishkrimin “demokracia vdes në errësirë”, dhe duke fishkëllyer vazhdimisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore