Lajme

Afganistan/ Talebanët vrasin 13 persona me etni nga Hazara


Talebanët u kanë marrë jetën 13 personave me etni nga Hazara, mes tyre dhe një vajzë adoleshente.

Amnesty International (AI) njoftoi se janë gjetur dhe prova që viktimat u masakruan në provincën Daykundi gjatë muajit gusht.

Nëntë prej viktimave ishin ish-ushtarë të qeverisë, që ishin dorëzuar te talebanët, sipas AI-së, duke shtuar se dyshohen se vrasjet ishin krim lufte.

Talebanët mohuan akuzat, duke thënë se raporti i Amnesty-s tregon vetëm “njërën anë” të historisë.

Komuniteti Hazara është grupi i tretë më i madh etnik i Afganistanit, të cilët praktikojnë islamin.

Ndër vite, ata janë përballur me diskriminim sunit dhe persekutim afatgjatë në Afganistanin dhe Pakistanin.

Kjo është hera e dytë që talebanët akuzohen për vrasjen e hazarasëve, që kur grupi erdhi në pushtet.

Dy viktimat e tjera në provincën Daykundi ishin civilë, tha Amnesty, mes tyre një vajzë 17-vjeçare, për të cilën thuhet se u qëllua kur talebanët hapën zjarr mbi një turmë të familjeve të ushtarëve.

Civilët u vranë, ndërsa përpiqeshin të iknin, shkruhet në raportin e botuar të martën, nga AI-ja.

“Këto ekzekutime gjakftohtë janë dëshmi se talebanët po kryejnë të njëjtat abuzime të tmerrshme, për të cilët ishin të njohur gjatë sundimit të mëparshëm në Afganistan”, tha Agnès Callamard, sekretare e Përgjithshme e Amnesty International.

“Talebanët thonë se nuk po synojnë ish-punonjësit e qeverisë së mëparshme, por këto vrasje kundërshtojnë pretendime të tilla”.

Edhe në një raport të mëparshëm nga Amnesty, i publikuar në gusht, tha se talebanët kishin “masakruar” nëntë anëtarë të pakicës Hazare, në provincën Ghazni në korrik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të talebanëve, Qari Saeed Khosti, tha se “ky raport është i njëanshëm”.

“U bëjmë thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare të vijnë dhe të ndërmarrin një hetim në terren”.

Sipas raportit të Amnesty-së, rreth 300 luftëtarë talebanë udhëtuan më 30 gusht në një zonë pranë fshatit Dahani Qul, ku anëtarët e ish-forcave qeveritare po qëndronin me familjet e tyre.

Ish-anëtarët e forcave afgane të sigurisë dhe familjet e tyre u përpoqën të iknin, por talebanët i kapën dhe hapën zjarr, thuhet në raport.

Një ish-ushtar qëlloi sërish, duke vrarë luftëtarët talebanë dhe plagosur një tjetër dhe dy ish-ushtarë të tjerë të qeverisë u vranë në zjarrin pasues.

Nëntë ish-ushtarë të tjerë më pas u dorëzuan, sipas raportit, por talebanët “i çuan menjëherë në një pellg lumi aty pranë dhe i ekzekutuan”.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore