Shqipëria

Abu Dhabi gati të financojë punën ekipore kibernetike Izrael-Shqipëri


Nën presionin e sulmeve kibernetike nga Irani, Shqipëria forcoi partneritetin e saj kibernetik me Izraelin.

Vendi me një buxhet të vogël mund të marrë një nxitje të mirëpritur financiare nga Emiratet e Bashkuara Arabe për ta ndihmuar atë të fitojë këtë ekspertizë izraelite.

Kështu shkruan grup i pavarur i shtypit “Intelligence Online”.

Sipas botimit, disa burime thanë se Abu Dhabi është gati të financojë të gjitha ose një pjesë të kontratave të sigurisë kibernetike të nënshkruara nga Shqipëria me kompani izraelite, e cila ka pak fonde për të financuar vetë blerjet.

Në fund të janarit, pas një afrimi diplomatik me Tel Avivin, Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Tiranë arriti një marrëveshje me Organizatën Kombëtare Kibernetike të Izraelit (INCD) për të rritur shkëmbimin e informacionit dhe aftësive ndërmjet dy vendeve.

“Sot u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis Drejtorisë Kombëtare Kibernetike të Izraelit (INCD) dhe Autoritetit Kombëtar për çetifikimin elektronik dhe sigurinë kibernetike të Shqipërisë, me qëllim forcimin e aftësive mbrojtëse”, shkruante agjencia izraelite.

Sipas kushteve të marrëveshjes, Tel Avivi supozohet të ndihmojë Shqipërinë të krijojë një ekip të kompjuterizuar emergjence (CERT). Kjo mund të zbatohet nga Rafael, i cili tashmë ka krijuar CERT në Izrael, sipas publikimit.

“Disa ditë para përfundimit të marrëveshjes, zëvendës kryeministrja shqiptare Belinda Balluku ishte në Tel Aviv për të diskutuar mbi sigurinë kibernetike. Vizitës së saj i parapriu ajo e kryeministrit Edi Rama, i cili pati një takim kokë më kokë me Gabi Portnoy, kreu i sistemit kibernetik, tetorin e kaluar. Një ditë më vonë, Rama fluturoi në Abu Dhabi për të vazhduar bisedën me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan”, thuhet në botim.

Qeveria e mëparshme e Yair Lapid u dakordësua në fund të muajit tetor se do ta ndihmonte Shqipërinë në luftën kibernetike kundër Iranit, pasi te ky i fundit shihte një armik të përbashkët të sigurisë publike.

Ky u pa si rezultati më konkret i vizitës së kryeministrit Rama asokohe në Jerusalem.

Kreu i qeverisë do të takohej jo vetëm me ish-homologun e tij izraelit, Yair Lapid, po edhe zyrtarë të lartë të shtetit hebre në çështjet e sigurisë kibernetike.

Izraeli është prej vendeve më të zhvilluara në teknologjinë e informacionit dhe luftën kibernetike ndaj Iranit, e ka filluar që në vitet e hershme 2000.

Çështje të tjera do të trajtoheshin po ashtu në tryezë, si zgjerimi i turizmit apo shkëmbimeve tregtare.

Rritja e numrit të sulmeve kibernetike që po kryhen nga Irani kundër Shqipërisë ka çuar në tensione mes dy shteteve, ku Tirana i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në shtator.

Konkretisht më 7 shtator, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

Asokohe, lajmi u bë i ditur nga vetë Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Kjo pasi, sipas kreut të qeverisë, Irani ishte përgjegjës i sulmit kibernetik që shkatërroi të dhënat e qeverisë shqiptare dhe mbylli shërbimet.

Irani dënoi “pretendimet e pabaza” të Shqipërisë dhe e cilësoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si të pamenduara dhe dritëshkurtëra.

Kujtojmë që Shqipëria është vendosur krah Izraelit edhe në votime të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në vigjilje të vitit të ri një rezolutë duke kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi pasojat ligjore të pushtimit të paligjshëm të territoreve palestineze nga Izraeli.

Rezoluta u mbështet nga 87 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria dhe 25 vende të tjera votuan kundër dhe u regjistruan 53 abstenime.

Më herët, Shqipëria abstenoi për rezolutën që detyronte Izraelin që të asgjësonte të gjitha armët e tij bërthamore dhe t’i vendosë vendet e tij bërthamore nën kompetencën e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore