Lajme

Abelard Tahiri: “Qeveria s’ka ndarë 70 milionë euro për Trepçën ashtu siç u zotua”


Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, teksa kritikoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria Kurti 2, në buxhetin për vitin 2022 nuk ka paraparë investimet prej 70 milionë eurosh në ndërmarrjen Trepça, ashtu siç pretendonte.

Kështu është shprehur ai gjatë seancës plenare teksa shtoi se ky ka qenë një ndër zotimet e të parit të ekzekutivit.

“Gjëja e parë që kam dashur me parë në këtë buxhet ka qenë Trepça. Zakonisht kryeministri i vendit gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, fjalimet e tij për buxhetin i niste me Trepçën. Më 20 tetor të këtij viti, Kurti premtoi 70 milionë euro investime në Trepçë për dy vjetët e ardhshme. Dhe çka kemi në projektbuxhet për Trepçën, janë nga tre milionë euro”.

“Ku janë të tjerat? Pra, mundoheni me qenë afër prej asaj çka e bënë dhe asaj çka e thoni”, theksoi ai.

Deklaratës së Tahirit i ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se i qëndrojnë pas zotimeve për investime në Trepçë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati

“Sa i përket Trepçës, është e vërtetë ajo që ka thënë kryeministri dhe i qëndrojmë mbrapa. Dhe siç kemi thënë çdo gjë qe e kemi në program dhe çdo premtim edhe do ta zbatojmë”, është shprehur Murati.

Por, deputeti nga PDK-ja, Abelard Tahirim kritika pati edhe për mos buxhetimin e Gjykatës Komerciale.

“Buxheti i sistemit të drejtësisë me punë të brendshme nuk arrin buxhetin që e kemi për asfalt. Në infrastrukturë kemi edhe projekte të reja, besoj se Republika e Kosovës tashmë e ka bërë një avancim të dukshëm të infrastrukturës rrugore në mbarë vendin. Nuk duhet të jetë asfalti prioritet edhe i kësaj qeverie”.

“Shtrohet pyetja, se a janë të buxhetuara Gjykata Komerciale, Gjykata e Punës, Gjykata administrative, rritja e numrit të gjyqtarëve, rritja e numrit të prokurorëve deh atyre profesional? Nuk janë, pra nuk i keni asnjërën prej këtyre gjykatave të buxhetuara”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore