Lajme

Abdixhiku: Skandalet me Berishajn dhe Ivanoviç-in nuk mund të kalohen në heshtje, kërkojmë shkarkim dhe kërkimfalje


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur Qeverinë e Kosovës, “amnistues të Martin Berishaj” dhe “rehabilitues të Oliver Ivanoviç-it”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai për Berishajn ka thënë se është personi që në Slloveni distancohet secili politikan nga ai, por në Kosovë bashkohet secili pushtetar me të.

“Martin Berishaj ka tërhequr plot 1.4 milionë euro para të gatshme në njërën nga bankat e Prishtinës. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd. Këto mjete e ky biznes janë mbajtur fshehtë”.

“Prandaj ambasadori ka dy kallëzime të ndara penale. Një për shpëlarje parash e shmangie tatimesh; dhe një për fshehje të pasurisë. Ai vazhdon të merr mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve vetëm sepse ka lidhje të ngushta politike me ta. Ligji për shokë të pushtetit vazhdon të mos vlejë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, kritikues u tregua edhe në deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj Ivanoviç-it.

“Oliver Ivanoviq ka qenë i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen dhe përndjekjen e shqiptarëve civil në veri të vendit. Si prijës i formacionit famëkeq ‘Rojat e Urës’ ai kishte organizuar dhe urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë para dhe pas luftës”.

Sipas Abdixhikut, për skandale të tilla nuk duhet të ketë heshtje, por veprime.

“Skandalet si këto s’mund të kalohen në heshtje. Ato s’mund të mbyten as nga zhurma e paaftësisë së pushtetit. Do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkim për të parin e kërkimfalje për lartnimin e dhimbshëm të të fundit”.

“Sot, ai cilësohet nga pushteti si ‘njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’. 31 civil të vrarë! 31 shqiptarë të vrarë nga njeriu multietnik i pushtetit. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme se kaq?”.

Ai ka pyetur nëse “është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka pasur nevojë”.

“Që të amnistohen të korruptuarit vetëm sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullsitë nga e mbrapshta që kishte ngufatur këtë vend?”.

“Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë!”.

Ambasadori Martin Berishaj, dyshohet se ishte pjesë e një skeme të shpëlarjeve të parave, të cilat përmes fizkulturave fiskale niseshin nga GEN-I në Slloveni, të cilën e udhëhiqte në atë kohë kryeministri aktual slloven Golob, shkonin në degë të GEN-I siç është ajo në Serbi dhe nga aty paguheshin persona si Berishaj që më pas t’i kthenin sërish në Slloveni për t’i dërguar përfundimisht në bursa të ndryshme nëpër botë.

Informacionet e fundit janë se Berishaj me një pjesë të atyre parave ka financuar fushata elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo, koalicion që fitoi zgjedhjet.

Berishaj pas zgjedhjeve nga ky koalicion do emërohej ambasador në Kroaci.

Ai ka pranuar në deklarimin e tij para deputetëve në komisionin parlamentar se ka kompani në Mal të Zi të cilën nuk e kishte deklaruar në Kosovë dhe gjithashtu se është paguar nga GEN-I Beograd.

Reagime të shumta kanë ardhur ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte përkujtuar vdekjen e liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, duke lavdëruar angazhimin politik të Ivanoviç-it dhe kishte kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore