Lajme

Abdixhiku: Preambula e Marrëveshjes ka dy formulime skandaloze me dëme historike


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka komentuar marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë të hënën në Bruksel.

Sipas tij Marrëveshja në fjalë përveç se nuk është finale, e as nuk përmban njohjen e ndërsjellët në qendër të saj, ka një preambulë tejet problematik.

“Arsyeja e mbajtjes së fshehtë të kësaj preambule e gjënë në dy formulime skandaloze të rënda me dëme historike për Kosovën. I pari ka të bëjë me tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës i dyti pa paragjykim të palëve për çështjen e statusit”, ka thënë Abdixhiku fillimisht.

Në vend të ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën, sipas Abdixhikut, Kurti në preambulë është dakorduar për tejkalim të trashëgimisë të së kaluarës.

“Kjo do të thotë se tejkalohet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë, me dakordim të palëve, përfshirë krimet, masakrat – sepse palët kanë vendosur ta tejkalojnë të kaluarën me një copë letër”.

Përveç kësaj, Kurti në preambulë të Marrëveshjes, sipas Abdixhikut, në një rast të paprecedent është pajtuar me pa paragjykimin për statusin e Kosovës.

“Pra barazon mosnjohjen e Serbisë me vetë aktin e deklarimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky formulim në preambulë neutral ndaj statusit të Kosovës është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut nga një kryeministrit të Kosovës”, ka shtuar ai.

“Pra marrëveshja jo që nuk e ka njohjen në qendër të saj por ka neutralitet ndaj statusit si pjesë vlerore mu në hyrje të saj. Neutraliteti në status është dëm historik për Kosovën. Edhe në marrëveshjet paraprake, që kishin ambiguitet, siç ishte ajo e fusnotës, kishte referencë në vendimin e GJND-së mbi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”.

Abdixhiku gjithashtu ka propozuar një mocion diskutimi për pajtimin e kryeministrit, Albin Kurti me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore