Lajme

Abdixhiku: Përpara kemi një krizë katastrofike, pushteti po fle


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një status në llogarinë e tij në Facebook, e ka përshkruar të ardhmen e afërt (dimrin) si një situatë pothuajse apokaliptike për Kosovën.

Abdixhiku shkruan se kriza do jetë një katastrofë dhe akoma më të rëndë e bën fakti që, sipas tij, qeveria po fle gjumë.

“Dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë. Reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim. Kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë”, shkruan Abdixhiku.

“Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjerë”.

 

Për Abdixhikun, këto dy vite qeveri Kurti, “asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë”.

“Projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Në vend të prodhimit, bateritë – pra deponimi i energjisë – ka marrë prioritet. Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi”.

Albin Kurti

Kryetari i LDK-së ka kritikuar Kurtin edhe për mungesë totale të masave përgatitore gjatë stinëve të nxehta.

“Kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë. Familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë”.

“Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë”, shkruan Abdixhiku.

Për të, Qeveria e Kosovës “s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë”.

“Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore