Lajme

Abdixhiku pas takimit me Osmanin: U informova mbi gjendjen në Veri, tash duhet fitore diplomatike në politikë


Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka bërë të ditur për Albanian Post se ka përfunduar takimi mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ndërsa pas takimit, Abdixhiku përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka theksuar se nga Presidentja e Drejtori i AKI-së, është informuar mbi gjendjen e sigurisë në Veri të Kosovës dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit, dhe jo vetëm.

“Kam shprehur mirënjohjen e LDK-së për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij pas fitores në terren në betejën kundër terrorizmit, është koha që Kosova të fitojë edhe lojën diplomatike në politikë.

“Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”.

Albanian Post, të mërkurën, kishte kuptuar se Osmani pas rikthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po zhvillon një takim me Shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, por edhe me kryetarin  e LDK-së Abdixhikun.

Pas takimit me Abdixhikun, Osmani bashkë me Ajetin do të takohen edhe me Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky takim mes Osmanit dhe kreu të LDK-së po ndodh tri ditë pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur që përbëhej prej rreth 30 personash sulmuan Policinë e Kosovës.

Po ashtu të martën Osmani është takuar edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar në Veri.

Osmani në takim me shefin e AKI-së dhe kryetarin e LDK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore