Lajme

Abdixhiku: Kurti e lëshoi një moment historik për Kosovën, ra në grackën e Serbisë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një intervistë për Klan Kosovën, tha se kryeministri Albin Kurti ka bërë lëshime të mëdha në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk ka qenë e mundur marrëveshja normalizuese në vitin 2008 kur është shpallë pavarësia e Kosovës. S’ka qenë e mundur as në vitin 2013. Ka qenë shumë herët. As në vitin 2015… Ka qenë një konsensus gjithë evropianë dhe në Shtetet e Bashkuara se tani është momentumi për marrëveshje finale”, tha ai.

“Serbia dhe aleati i saj [Rusia] s’kanë qenë në pozicion më të rëndë gjeo-strategjik në këto 100 vitet e fundit. Dhe, në këtë rrethanë për Kosovën, sa hërë është folur për marrëveshje finale me përfshiren e SHBA-ve në dialog na thonin mos e përmendi SHBA-në sepse domosdoshmërisht do futej edhe Rusia”, shtoi ai.

Prandaj, sipas Abdixhikut, këtë momentum të luftës në Ukrainë, kryeministri Kurti do duhej ta shfrytëzonnte më mirë për interesat e Kosovës e jo t’i dëmtonte relacionet me SHBA-të e të binte në provokimet e Serbisë.

Kreu i LDK-së tha se tensionet dhe ngjarjet shqetësuese në pjesën veriore të Kosovës që ndodhën për fillimisht për çështjen e targave, e cila u pasua më pas me largimin e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet e Kosovës, erdhi si rezultat i “rënies së Kosovës në grackën e Serbisë”.

“Nuk mund të themi që Serbia s’ka provokuar në veri. Dhe, nuk është hera e parë që Serbia ka provokuar në veri. Serbia ndër vite ka provokuar në veri. Tendeca e Serbisë në veri ka qenë gjithmonë provokuese dhe destabilizuese”, u shpreh ai.

Abdixhiku kujtoi edhe dy letrat e mëhershme të presidentëve amerikanë, Donald Trump e Joe Biden, dhe qasjen e Kurtit në atë kohë, duke lënë të nënkuptohet se mosveprimi i Kurtit në kohë ka ndikuar që sot të përfundohet vetëm në një marrëveshje bazë me Serbinë.

Lideri i partisë më të vjetër në Kosovë, komentoi edhe pajtimin që kryeministri Kurti arriti më 18 mars në Ohër me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje na jep dy gjëra: e para i kërkon Serbisë normalizimin me Kosovën, por pa njohje, kurse e dyta i kërkon Kosovës disa obligime. Në këtë marrëveshje, apo aneks-marrëveshje, nuk ka obligime për Serbinë”, theksoi Abdixhiku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore