Lajme

Abdixhiku: Jeta dhe vepra e Afrim Bunjakut do të jetë e gdhendur në historinë e Kosovës


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë vizitës tek polici i vrarë, Afrim Bunjaku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të hënën ka vizituar familjen e rreshterit të vrarë, Afrim Bunjaku, për t’i shprehur ngushëllime.

Abdixhiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka ngushëlluar familjen Bunjaku, duke thënë se jeta dhe veprat e tij do të jenë të gdhendura gjithmonë në historinë e Kosovës.

“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë ka vizituar në Samadrexhë të Vushtrrisë familjen e policit të vrarë dje në veri, Afrim Bunjaku. Kryetari Abdixhiku i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit Bunjaku, duke shtuar se jeta dhe vepra e tij do të jenë të gdhendura në historinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, për rreshterin e vrarë do të mbahet një mbledhje komemorative, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Dita e hënë (25 shtator), është ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë pas një sulmi të organizuar nga një grup kriminal ende i paidentifikuar saktë për organet e rendit.

Ishte një sulm terrorist.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë serbë.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së tre policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjerë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, tre të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore