Lajme

Abazoviç i kërkon Milatoviç-it që të anulojë vendimin e Gjukanoviç’it për zgjedhjet parlamentare


Kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviç.

Ende pa e marrë mandatin, në drejtim të presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kanë ardhur kërkesa.

Ka filluar kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili i ka kërkuar që të ndryshohet data e zgjedhjeve parlamentare që ishte vendosur nga presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

“Nuk mendoj se është mirë që Gjukanoviç të shkarkojë deputetë në këtë mënyrë, është e papranueshme”, tha Abazoviç, duke iu referuar vendimit të Gjukanoviç-it për shpërndarjen e parlamentit, dhe rrjedhimisht shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kryeministri malazez beson që Milatoviç duhet të zhvlerësojë vendimin e paraardhësit të tij, sa i përket shpalljes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Milatoviç, duhet t’i mbledhë të gjithë aktorët politikë dhe së bashku të caktojnë datën e re të zgjedhjeve. Mund të jetë në fund të qershorit, para sezonit”, tha Abazoviç, transmeton media malazeze Vijesti.

E, këtë ai e argumenton duke thënë se “presidenti legjitim dhe deputetët legjitimë” mund të përcaktojnë bashkërisht datën e zgjedhjeve.

Ndryshe, Gjukanoviç, pas miratimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 11 qershor.

Jakov Milatoviç u zgjodh president i Malit të Zi në zgjedhjet presidenciale të mbajtura me 2 prill.

Ndërsa, Udhëheqësi më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, Milo Gjukanoviç, do të zëvendësohet në krye të shtetit malazez nga një ekonomist i ri që ishte veç pesë vjeç kur Partia Socialiste e Demokratëve (DPS) erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1991.

Milatoviç mori mbështetje nga partitë e afërta me Serbinë, Rusinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Edhe pse student i Oksfordit dhe intelektual me orientim liberal, ai ishte edhe ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur nga KOS-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore