Kosova

Abazi kritik me Kusari-Lilën: Po bëhen skenarë, s’po lënë hapësirë – kryesuesja e grupit s’është as në VV


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Haki Abazi tha se ka shumë shqetësime. Disa për Kosovën, disa për Vetëvendosjen e disa për vete.

Nisi nga këto për Kosovën, por shpejt doli te ato për vetën dhe pozitën e deputetit dhe aty mbeti.

Në një konferencë “të jashtëzakonshme” për media të ftuar nga ai, tregoi se tash e tutje çdo javë do të mbajë konferenca për të qenë transparent me publikun që e ka votuar.

Solo-aksionin deklaroi se do ta bëjë çdo të premte, si dikur në kohë okupimi Lidhja Demokratike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën.

Shqetësimet kryesore të Abazit ishin me pozitën e deputetit në përgjithësi dhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në veçanti.

“Ajo që ju them me bindje të plotë, sidomos për ata që diskutojnë në studio televizive, nuk ka të bëjë fare me mos përgatitje të deputetit, por me skenarë që paraqiten në seanca plenare dhe këto skenarë nuk po lënë hapësirë”, tha Abazi.

“Shumica e deputetëve kanë gatishmëri, por janë dy probleme thelbësore brenda këtij skenari”, sqaroi.

“Një është ndarja se si bëhet në komisione parlamentare që shumica vendosen në komision që janë të pa njoftuar me përmbajtjen dhe janë jashtë idesë që të jenë të përgatitur për të diskutuar”, deklaroi Abazi pa u kuptuar mirë se çfarë po thotë.

“Dhe e dyta, ne në Vetëvendosje kemi kryesues një njeri (Mimoza Kusari-Lilën) që nuk vije nga grupi parlamentar i ynë”.

Abazi është i pakënaqur me këtë “njeri”, pasi, siç deklaroi ai, “nuk është tentuar kohezioni”.

“Rrjedhimisht, krejt këto që po i them sot i kam adresuar tek hierarkia edhe partiake edhe ajo institucionale dhe është koha e fundit t’i kthehemi përmbajtjes dhe debatit përmbajtjesorë dhe jo që deputeti të është vetëm makineri votuese”.

Madje Abazi kërkoi “kohezion edhe me opozitën”.

“Këto çështje i kam ngritur edhe me kryeministrin edhe me kryetarin e partisë, pra me Albin Kurtin”.

Gjithsesi, përkundër kritikave nga Vetëvendosje deklaroi se “nuk dal”.

“Nuk ka dëmtim të procesit përbrenda, por domosdoshmëria e hapjes së debatit përtej diskutimeve të brendshme… unë nuk jam as i heshtur as spektator”.

Deputeti në foltore shtoi prapë se ka pyetje që “nuk ka vullnet kryesuesja e grupit parlamentar t’iu jap përgjigje”, prandaj do ta bëjë ky.

Abazi ishte kritik edhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai është kryetar i Grupit Parlamentar për Politikë të Jashtme, por deklaroi se “më shpesh flisni ju se unë me të”.

Në një pjesë të fjalimit Haki Abazi ka folur edhe për sfidat e Kosovës në politikën e jashtme, kryesisht në dialogun me Serbinë dhe gjithashtu për krizën me energji elektrike.

Planin e qeverisë për energjinë e kritikoi, derisa tha se duhet të ndahet procesi i liberalizimit të vizave me procesin e dialogut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore