Lajme

AAK-ja kërkon që Ligji i Pagave të hyjë në fuqi më së largu më 1 shkurt


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në një konferencë për media është shprehur se ligji i pagave duhet të hyjë në fuqi më së largu më 1 shkurt.

Ai ka bërë thirrje që procedurat e Kuvendit të përfundojnë sa më shpejt.

“Ligji i Pagave duhet të hyjë në fuqi më së largu me 1 shkurt, që nënkupton procedurat në Kuvendin e Kosovës duhet të përfundojnë sa më shpejtë që është e mundur dhe propozimi që e kemi dhënë ne si grup parlamentar në seancë të votohet në Kuvend”.

“Vlera e koeficientit nuk është as në buxhetin e Kosovës dhe as nuk do të trajtohet nesër në Kosovë, sipas kalkulimit të AAK-së, vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, vlerë kjo e cila do të mundësojë që pagat në shumicën e sektorëve, të kenë rritje në bazë të ligjit qe ne e kemi pas, për shkak se shumica e pagave, përveç gjyqësorit, është më e ultë, pra vlera prej 129 euro është vlera që duhet të jetë”.

Tahiri ka bërë të ditur se këtë do ta propozojnë me anë të një amendamenti për këtë Ligj.

Ligji i pagave.

“Nuk duam lojë dhe nuk do të mbështesim asnjë nen që potencialisht e rrezikon këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese, e kjo lidhet po ashtu edhe me parashikueshmërinë e pagës”, ka theksuar Tahiri.

Kurse, për Ligjin e Zyrtareve Publikë, ai u shpreh se janë tri çështje të rëndësishme që duhet diskutuara para miratimit.

“Nëse pozitat e larta në administratë shtetërore do të kthehen me mandat, atëherë unë jam i bindur që kushdo që e çon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj do të bie, nenet që e rrezikojnë meritokracinë dhe ngritjen në karrierë të zyrtarëve publikë mund të shkaktojnë rrëzim në Kushtetuese”.

Sipas tij, “dallimet mes ministrive gjithashtu janë një problem. Nuk mund të ketë një ministri fuqi dhe status të veçantë se një ministri tjetër, sepse ministritë themelohen me mandat të kryeministrit”.

Për shkak të mosmiratimit të ligjit të pagave, 25 gushti i kishte gjetur sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kishin të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kishin shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik dhe kishin kërkuar që të miratohet ligji i pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore