Lajme

A po “tërhiqet” kryeministri Kurti nga “veriu i PDK-së”?


Mitrovica e Veriut

Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal akoma nuk kanë marrë dritë të gjelbër kryetarët e komunave në veri – Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan – të cilët e fituan garën zgjedhore me Partinë Demokratike të Kosovës, për arsye të panjohura, së paku jo nga ato që përmbushin legalitetin shtetëror.

Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se për dallim nga Erden Atiç, i cili të premten u betua si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut, pasi fitoi zgjedhjet me Lëvizjen Vetëvendosje, kryetarët nga radhët e PDK-së po përballen me “presion dhe nënçmim” nga Qeveria e Kosovës.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në prag të skadimit të afatit për caktimin e seancës ku do të duhet të marrin zyrtarisht mandatet e tyre siç përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, sipas sekretarit të PDK-së, po ushtron presion për shtyrjen dhe ndërrimin e vendit ku do të betohen kryetarët e rinj.

“Ka disa ditë që dy Kryetarët e Komunave nga radhët e PDK-së, të cilët kanë fituar në Zveçan dhe në Zubin Potok, po përballen me presion dhe nënçmim nga zyrtarë e segmente të Qeverisë, posaçërisht nga MAPL”, tha Gjoshi, ndërsa konsideroi se kjo është “tendencë për të nënvlerësuar dhe dekurajuar kryetarët tanë”.

“Të dy komunat kanë thirrur seancat solemne për dhënien e betimit, por Ministri i Pushtetit Lokal dhe zyrtarë të kësaj ministrie, kanë ushtruar vazhdimisht presion për ndërrimin e datës dhe lokacionit për mbajtjen e seancave”, shkroi ndër të tjera Gjoshi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për procesin e betimit të kryetarëve në komunat veriore të banuara kryesisht me serbë etnikë, ka bërë thirrje për durim, duke e lënë të hapur mundësinë që në këto komuna të bashkohet edhe ndonjë parti serbe në qeverisje komunale.

“Të presim edhe pak ditë, edhe nëse nuk do të kenë përgjigje nga zyrtarët e një partie politike atje do të mund të kenë nga serbët që mund të duan të bëhen zyrtarë. Unë e di që ata nuk janë përgjigjur ende, por të presim të hënën me shpresës që mund të ndryshojë për të mirë…”, tha Kurti.

Kryetarët e rinj do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël”, deklaroi kreu i ekzekutivit në fillim të muajit. Pra, udhëheqës të vegjël, por me synime të mëdha për veriun – shtrirjen dhe zgjerimin e sovranitetit institucional të Kosovës karshi ndikimit e ndërhyrjes së jashtme të Serbisë, përkatësisht Listës Serbe.

Ata nuk do të jenë udhëheqës komunalë me ‘U’ të madhe, por udhëheqës me ‘u’ të vogël. Unë kam dhënë instruksione të mos ketë triumfalizëm pas këtyre zgjedhjeve, por këta kryetarë duhet të formojnë qeverisje multi-etnike dhe t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim”, tha Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu kërkoi nga kryetarët e rinj që brenda afateve kushtetuese dhe ligjore të marrin mandatet e tyre. Këto zgjedhje, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara me shumicë serbe votuan veç 13 serbë.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetartët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Synimet e mëdha të udhëheqësve me ‘u’ të vogël janë të qarta, të prishin status quo-n në veri duke vendosur më shumë pushtet institucional të Kosovës, por siç po parashikohet tashmë, vazhdimësia e dialogut Kosovë-Serbi do ta çojë veriun në zgjedhje të jashtëzakonshme, sëshpejti.

Thuhet se kriza qëndron në dramatizimin e së tashmes për ata të cilët kanë një axhendë për ta ndryshuar gjendjen, kurse në “luftën” për ndryshim të realitetit në terren, nuk ka fitues. Në veri realisht ka çdo gjë ngapak përpos lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore