Lajme

A mund ta tërheq Afganistani njohjen për Kosovën?


Flamuri i Kosovës dhe ai i Afganistanit

Republika e Kosovës në vitet e fundit është përballur me një fushatë të ndërmarr nga Serbia për ç’njohjen e Kosovës nga shtetet të cilat e kanë pranuar dhe njohin pavarësinë e saj.

Janë mbi 13 shtete që kanë tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit kishte stopuar për një vit këtë fushatë të Serbisë, mirëpo sipas marrëveshjes është data 4 shtator kur Serbia më nuk ka kufizime në këtë drejtim.

Nga ana tjetër qeveri pro-amerikane e Afganistanit është në “minuat e fundit”, pasi që Talebanët tashmë zotërojnë mbi 90% të territorit duke përfshi edhe qytetet kryesore të këtij shteti.

Gjatë pasdites të së dielës në disa lagje të Kabulit, kryeqyteti afgan janë futur forcat Talebane.

Sipas raportimeve përveç stafit diplomatik që është në tërheqje e sipër, nga vendi është larguar Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani dhe Zëvendëspresidenti, Amrullah Saleh, transmeton BBC, ndërsa sipas Washington Post në Kabul ka ra edhe qeveria.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë në negociata me Shqipërinë dhe Kosovën për strehimin e afganëve pro amerikan.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se Shqipëria mirëpret refugjatët afgan duke i bërë thirrje edhe Kosovës që të veproj njëjtë.

Shteti i parë që e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran është Afganistani.

Kosova gjithnjë ka qenë e rreshtuar përkrah SHBA-ve sa i përket Afganistanit dhe me ardhjen e talebanëve në krye të shtetit, Kosova rrezikon të ketë edhe një çnjohje më shumë.

Lidhur me këtë, Albanian Post ka kontaktuar me disa analist të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Politologu, Mentor Tahiri ka thënë se “Talebanët mund të kenë krejtësisht pushtetin mbi Afganistanin, por për komunitetin ndërkombëtar ata do të jenë një qeveri jo-legjitime. Në rrafshin ndërkombëtar, autoritetet legjitime afgane të cilat përfaqësojnë Republikën Islamike të Afganistanit, do të vazhdojnë të zënë ulëset e përfaqësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare”.

Tahiri ka thënë se qëndrimi ndaj Kosovës nuk dot ë ndryshoj, madje ai ka tërhequr edhe një paralele mes kësaj situate që po hyn Afganistani dhe një periudhe të mëhershme kohore

“Situatë e ngjashme ka qenë edhe gjatë viteve 1996-2001 kur Talebanët kontrollonin pothuajse gjithë vendin, por legjitimitetin ndërkombëtar e kishte qeveria në ekzil. Në këtë drejtim, qëndrimi i deritanishëm ndaj njohjes së Kosovës nuk mund të ndryshohet”.

Politologu Tahiri ka thënë se sa i përket veprimeve që SHBA-të presin nga Kosova lidhur me strehimin e afganëve, autoritetet e Kosovës “besoj do të jenë maksimalisht të vetëdijshme se aleancat politiko-ushtarake dhe rreshtimet gjeopolitike nuk janë thjeshtë çështje simbolikash, por janë edhe teste maturie me veprime konkrete”.

Më tej ai konsideron se “Kosova duhet të ri-konfirmojë fuqishëm aleancën e saj me SHBA-të si dhe të respektoj thellësisht faktin e pamohueshëm historik se Afganistani në kuadër të së cilit qeveriste një qeveri pro-amerikane, është shteti i parë që ka njohur pavarësinë e shpallur të Kosovës”, ka thënë Tahiri për Albanian Post.

Ish Ambasadori i Kosovës, Avni Spahiu për Albanian Post ka thënë se kompetent për me dhënë përgjigje në këtë fazë është Ministria e Punëve të Jashtme.

“Është herët me fol për këtë, është e pa qartë kjo situatë, ndoshta Ministria e Jashtme mund të jap diçka më shumë në këtë drejtim, sepse ata në këtë moment duhet me fol rreth këtij rasti”.

Ndërsa sa i përket refugjatëve afgan, Kosova çfarë qëndrimi duhet të ketë për këtë çështje, a duhet të bashkëpunoj me SHBA-të dhe të pranoj refugjatët apo si duhet të veproj, Spahiu ka thënë se “nëse është kërkuar nga ne, duhet të pranojmë refugjatët, sepse ne jemi pjesë e integrimeve euroatlantike dhe nëse kërkon  atë partneri ynë, miku ynë (SHBA) duhet me plotësua. Po flitet se refugjatët afgan në Kosovë do të qëndrojnë përkohësisht, si njëfarë stacioni transit deri sa të kalojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e ka kërkuar partneri ynë dhe duhet patjetër me këtë”.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të harroj situatën kur vet ishte në një krizë, pra gjatë viteve 1998-1999, kur ka intervenua NATO për stopimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik.

“Nga ana tjetër mos të harrojmë pozicionin tonë para shumë vitesh kur kemi qenë refugjat edhe na kanë ndihmuat krejt forcat demokratike”, ka përfunduar diplomati Spahiu.

Albanian Post lidhur me këtë çështje ka drejtuar pyetje edhe kabinetit të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, mirëpo ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore