Lajme

“A jeni gati ta mësoni shqipen pra?” – ish-ambasadori serb tallet me idenë e “kthimit të Kosovës brenda Serbisë”


Milan Protic, ish-ambasador serb

Ish-ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicër, historiani Milan Protiç, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter një koment ngacmues për atë pjesë të politikanëve në Serbi që kërkojnë kthimin e Kosovës në Serbi.

Protiç, në komentin e shkurtër, shkruan se “nëse do i detyronin shqiptarët të jetojnë në Serbi, nënkupton që çdo i katërti shtetas të ishte shqiptar”.

Ai ka pyetur serbët se “a jeni gati ta keni shqipen gjuhë zyrtare, kështu që të mos mund të gjeni një punë në shërbimin publik pa ditur shqipen?”.

“Mediokriteti, nuk kanë mundur as gjuhen serbe ta zotërojnë e lermë diçka tjetër”, përfundon komenti i tij.

Shkrimi i Protiç në Twitter bëhet në vazhdën e debatit në Serbi dhe komenteve të disa partive politike atje se rruga përpara është kthimi i Kosovës si pjesë e Serbisë.

Disa nga komentuesit në statusin e Protiç-it e kanë përkrahur atë, duke shkruar se “ideja e kthimit të Kosovës në Serbi është marrëzia më e madhe”, por ka pasur edhe të tjerë që i kanë dalur kundër.

Njëri prej tyre shkruan se edhe “në Francë çdo i pesti banor është arab dhe arabishtja nuk është gjuhë zyrtare, dhe nuk është as kërkesë për punësim askund”.

Ide të tilla janë dhënë nga parti serbe që e kundërshtojnë edhe Vuçiç-in për nënshkrimin e marrëveshjes bazë bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Ata e nënkuptojnë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është heqje dorë përfundimisht nga Kosova, sepse pranohet de facto ekzistimi i Kosovës si shtet i pavarur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore