Lajme

A do të kandidojë në zgjedhjet e Brazilit ish-presidenti Lula?


Që nga kthimi i tij në politikën braziliane, me një fjalim përballë sindikatës së punëtorëve jashtë Sao Paulo-s, popullariteti i Luiz Inácio Lula da Silva ka gjetur rritje.

Sondazhet sugjerojnë se “Lula”, i cili shërbeu dy mandate si president midis 2003-it dhe 2010-ës, do të mposhtte lehtësisht konservatorin Jair Bolsonaro, nëse zgjedhjet e planifikuara për në tetor të vitit të ardhshëm do të mbaheshin sot.

Por ndërsa thirrja e ish-udhëheqësit të majtë për t’u kthyer në normalitet pas tre viteve të sundimit populist të Bolsonaro-s ka bërë jehonë, disa brazilianë pyesin veten se si mund të duket një presidencë e re e Lula-sit.

Mbi gjysmë shekulli në politikën braziliane, 75-vjeçari ka treguar ide të ndryshme. Lula ka pranuar se idetë e tij “ndryshojnë kur ndryshojnë faktet”.

Sot ai premton mbështetje për tregun e lirë, ndërsa zotohet të ndërhyjë në ndërmarrjet e drejtuara nga shteti nëse do të thotë të përmirësosh mirëqenien e brazilianëve.

Disa gjithashtu pyesin nëse Lula do të kërkonte hakmarrje politike sapo të kthehej në pushtet. Ai kaloi pothuajse dy vite në burg pas një dënimi për korrupsion.

Ish-presidenti e ka konsideruar dënimin, i cili u rrëzua nga Gjykata e Lartë, si rezultat i një komploti politik nga kundërshtarët e tij.

Rikthimi i tij

Aleatët e tij këmbëngulin se çdo mandat i tretë do të karakterizohet nga marrëveshje pragmatike, vlera progresive dhe mbrojtja e demokracisë.

Lula ka përdorur mediat sociale për të kritikuar një tavan të shpenzimeve qeveritare – të dashur nga investitorët për mbajtjen në rregull të shtëpisë fiskale të Brazilit – dhe fushatën e qeverisë Bolsonaro për privatizimin e enteve të drejtuara nga shteti.

“Nëse Lula kthehet si ai i vitit 2003, do të ishte një lajm i mirë për ekonominë. Në atë kohë, ai kishte një ekip të mirë ekonomik dhe zbatoi një politikë shumë të shëndoshë ekonomike”, ka shkruar një gazetë braziliane.

Ata që janë pranë tij thonë se Lula, që brazilianët do të hasnin në një mandat të tretë, do të ishte një tregtar, jo një ideolog.

Ai ka besimin e plotë te Partia e Punëtorëve të Brazilit dhe udhëheqësve të saj. Këto të fundit këmbëngulin në faktin që Lula do të jetë kandidati i tyre në zgjedhjet e tetorit, pavarësisht kërcënimit të përjashtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore