Lajme

Serbët në Veri nuk e paguajnë rrymën, por Kosova patjetër duhet të paguaj për ta – ja pse


Ilustrim

Me shumicë votash anëtarët e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, pesë ditë më parë kanë aprovuar kërkesën e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për të paguar 11 milionë euro, në mënyrë që të kompensohen humbjet e energjisë elektrike në Veri.

Pagesa do të bëhet për gjashtë muajit e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në komunat e veriut me shumicë serbe.

Zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Rama tha për Albanian Post se këto mjete kanë qenë të domosdoshme për të mos rrezikuar Kosova anëtarësimin e saj në Rrjetin e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS) pasi që nga viti 2017 përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese (KESCO) i është kaluar KOSTT.

“Në momentin që Kosova apo KOSTT është pavarësuar nga Blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe është bërë zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë) – zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E – çdo devijim i zonës që mbulon Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, konsiderohet devijim i Kosovës.

Prandaj, KOSTT si subjekt përgjegjës për balancim ka obligime nga Marrëveshja e Kyçje KOSTT/ENTSO-e që ta mbuloj këtë devijim”, tha Rama.

“Këto mjete janë ndarë me qëllim të ndalimit të devijimeve ndaj operatorëve të Sistemeve Transmetuese Europiane që është kusht i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E”.

“Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E nuk lejohen devijimet në sistemin transmetues evropian dhe KOSTT ka për obligim që të balancoj sistemin”.

Sipas Ramës “në të kundërtën do të ndodhin penalizime të cilat kanë kosto edhe më të larta”.

“Sipas rekomandimit të miratuar nga ana e Komisionit Parlamentar, KOSTT autorizohet që të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar, por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës”, tha ajo.

Rama theksoi se në dhjetor të vitit të kaluar, KOSTT ka filluar të blejë energji për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut me energji elektrike me mjetet të cilat i kishte ndarë Qeveria e Kosovës për këtë, në vlerë prej 10 milionë euro, mjete të cilat kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar kostot e konsumit në veri të Kosovës vetëm deri në mesin e muajit prill të vitit 2021.

Ndërkaq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian qysh në vitin 2013, ishte nënshkruar marrëveshja për energji, por asnjëherë nuk është zbatuar nga Serbia.

Në bazë të marrëveshjes për energji, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, kusht për Serbinë ishte edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Ndërkohë, Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore INDEP thotë se deri sa nuk e inkasojmë, duhet ta paguajmë energjinë e veriut”.

Ai potencoi se Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike nuk mund ta bëjë licencimin e këtij operatori.

“E para është licencimi dhe fillimi i operimit të furnizuesit të ri atje sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Në dhjetor të vitit 2020, ky operator ka aplikuar për licencë në ZRRE sipas legjislacionit të Kosovës. Por, ZRRE nuk është funksionale dhe s’mund të bëjë licencimin e këtij operatori”, thotë Abazi.

“Zgjidhja tjetër dhe përfundimtare do të jetë kur të kemi shtrirje të autoritetit dhe ushtrim të sovranitetit të plotë nga institucionet e Kosovës”.

Sipas tij “Qeveria pati rastin të votojë emrin e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së sipas rekomandimit të britanikëve, por vendosi që të anulojë konkursin dhe ta kthejë procesin në pikën zero”.

Ndërsa, deputetja e Lëvizja Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi pati thënë se më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun, se sa, siç u shpreh ajo, të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, “sikur rasti i policit, tashmë hero, Enver Zymberi”.

Por, ndarjen e këtyre mjeteve për pagesën e rrymës në veri, e kanë kundërshtuar Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Këto borxhe, deri në vitin 2017 u janë faturuar qytetarëve nga viset e tjera të Kosovës.

Ndërkohë, një vendim i Gjykatës së Apelit, i pati dhënë fund praktikës që konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës të paguajnë energjinë për banorët serbë në veri të vendit, të cilët nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe për këtë kompanitë që duhet të mbledhin faturat, nuk kanë qasje në atë pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore