Kosova

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, inspekton ndërtimet e hidrocentralit në lumin Lepenc


Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Ministri i Mjedisit në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, e ka shënuar duke vizituar Komunën e Shtërpcës, ku po zhvillohen ndërtimet në shtratin e lumit Lepenc, me qëllim të furnizimit të hidrocentraleve.

Rishikimi i situatës dhe vendosja e rregullave janë temat paralajmëruese për diskutim me të gjitha palët e interesit, përfshirë kompanitë të cilat janë angazhuar në ndërtimin e hidrocentraleve, qytetaret dhe zyrtarët nga Ministria e Mjedisit.

“Në ditën e tokës kemi ardhur në Komunën e Shtërpcës. Kemi vizituar tri lokacione. Këtë lokacion të fundit e përzgjodhëm sepse kanë protestuar shumë qytetarë kundër këtij hidrocentrali, edhe qytetarë serb edhe shqiptar, të organizuar bashkë, për të bërë përpjekje për ta ndalë, siç e quajnë ata, degradimin e lumit Lepenc, ku uji i lumit do të futet nëpër gypa, për të furnizuar hidrocentralin, për të prodhuar energji”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, kontakti i vazhdueshëm me qytetarët që kanë shprehur brenga dhe guximi i tyre për të shprehur pakënaqësitë mbi ndërhyrjet në shtratin e lumit Lepenc, kanë qenë ndër arsyet pse Aliu ka përzgjedhur ta vizitojë Shtërpcën, pikërisht në këtë ditë.

“Ata kanë pasur guxim, prandaj vizita ime e parë është këtu. Kemi qenë aktiv në realizimin e kësaj vizite dhe I kemi ftuar të na vijnë organizatat dhe qytetarët që kanë shprehur shqetësimin për degradimin, kemi dëgjuar ata, dhe në bazë të vërejtjeve të tyre, kemi vendosur të vijmë në këtë vizitë”, ka thënë Aliu.

Mes tjerash, Liburn Aliu, ka shprehu shqetësim me gjendjet që kanë gjetur në Shtërpce, dhe është zotuar se javën tjetër do të ftojnë përfaqësuesit e kompanive, për t’i njoftuar mbi ankesat dhe brengat e qytetarëve.

Bisedë enkas për këtë temë, Aliu do të zhvillojë edhe me zyrtarët e ministrisë të cilët kanë lëshuar lejet për punimet në Shtërpcë.

“Natyrisht jemi të shqetësuar me gjendjen që kemi gjetur këtu, sidomos me strukturat e betonit në shtratin e lumit. Ministria nuk mund ti mbyll sytë, e as veshët. Javën e ardhshme I ftojmë edhe përfaqësuesit e kompanive, për t’ua shprehur brengat e qytetarëve, dhe brengat tona për atë çfarë pamë në terren”.

Ai ka premtuar rishqyrtim dhe marrje të vendimeve krahas punimeve në shtratin e lumit Lepenc.

“Të gjitha këto do të shqyrtohen dhe mbase ministria duhet të marrë vendimet, dhe të krijojë komisione, që brengat e qytetarëve dhe gjithë ato lëndë, ti shqyrtojnë në hollësi. Do të përpiqemi që ta bëjmë detyrën tonë. Ta mbajmë një baraspeshë, në mes të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit”, ka shtuar i pari i Ministrisë së Mjedisit të Qeverisë së Kosovës.

Pyetur rreth lëshim lejes për ndërtim të KELKOS-it në Lumbardh të Pejës, ministri Aliu ka thënë se me datën 14 shkurt në Republikën e Kosovës janë bërë ndryshime të mëdha, teksa sipas tij “kafshata e bukës së gojës për qytetarët është parësore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore