Gatimi

Snack i shijshëm, sandwich pule me bacon dhe rukola


Keni nevojë për një snack energjik gjatë ditëve që jeni në nxitim ose të zënë në punë? Receta e sandwich-it me pulë, bacon dhe sallatë rukola është perfekte! Është i lehtë për t’u përgatitur dhe me përbërës të thjeshtë e shumë të ushqyeshëm.

Kjo recetë rekomandohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit

Përbërësit e mbushjes: 200 gr fileto pule, 50 gr djathë Parmigiano, vaj ulliri, pak sallatë e përzier ose rukola.

Përbërësit e salcës: 1 bagetë (bukë), 50 gr bacon (Pançetë) i tymosur, 50 gr domate të freskëta, disa gjethe rukola, 1/2 qepë e njomë, 1 qepujkë, 1 kastravec turshi, 1 spec djegës turshi, 3 lugë majonezë, 1/2 lugë mustardë, kripë, piper, 1 tufë majdanoz, 1 lëkurë limoni jeshil.

Përgatitja

Në fillim merremi me përgatitjen e salcës. Presim në kubikë domatet, qepët, qepujkën, kastravecin, specin djegës. Majdanozin e grijmë hollë, rukolën e copëtojmë në rripa dhe lëkurën e limonit (vetëm pjesën e gjelbër) e grijmë në rénde.

I përziejmë të gjithë përbërësit bashkë me majonezën, mustardën, kripën dhe piperin, derisa të krijohet një salcë kompakte.

Nisim me mbushjen e sandëich-it. Pjekim fillimisht fileton e pulës në tigan me pak vaj, kripë dhe piper. Më pas e presim në rripa të hollë.

Presim bukën bageta në 4-5 pjesë dhe secilën e ndajmë në mes, por pa ia shkëputur pjesët. I lyejmë me salcën e përgatitur më parë.

Vendosim në mesin e bukës fileton e pulës, djathin Parmigiano, bacon, fletët e sallatave ose rukolës. E spërkatim me pak vaj ulliri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore