Lajme

Banka Botërore: Ekonomia e rajonit mund të rritet me 4.4 % këtë vit


Një raport i Bankës Botërore jep lajmin pozitiv: ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të rriten me 4.4% në 2021, nga një tkurrje prej 4.8% në vitin 2020, nëse rajoni ua del me sukses sfidave të pandemisë së COVID-19.

Në një azhurnim makroekonomik për Evropën dhe Azinë Qendrore, huadhënësi vlerësoi se ekonomitë e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, mund të rriteshin 3.7% në 2022.

“Përkundër këtij përmirësimi, të ardhurat për frymë parashikohet të mbeten 6.5% nën parashikimet para-pandemike, deri në vitin 2022”, shkruhet në raport.

Parakushti kryesor për rritjen ekonomike të rajonit do të ishte rikthimi i besimit të konsumatorit dhe biznesit, ndërsa efektet e COVID-19 minimizohen dhe të ketë qëndrueshmëri politike në këto shtete.

Vendet në Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar rritje të numrave të të infektuarve kohët e fundit. Megjithatë, të gjashtë vendet kanë filluar fushatat e vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore