Maqedonia e Veriut (MV) shënon më 27 mars përvjetorin e parë të anëtarësimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Krerët e shtetit, me rastin e përvjetorit, u shprehën se bashkimi me Aleancën ishte betejë që u fitua nga vendi.
Politika, në ceremoninë e 1-vjetorit të anëtarësimit në NATO
Ceremonia u zhvillua në Shkup. Të pranishëm ishin personalitete të larta, si presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe komandanti i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiral Robert Burke.
Pendarovski, në fjalën e tij, u shpreh se rruga ka qenë e vështirë.
“Ne pritëm 20 vjet, më shumë se shumica e të gjithë kandidatëve në historinë e organizatës. Por, me gjithë vonesat, nuk u dorëzuam, sepse ky ishte dhe mbeti qëllimi ynë kryesor strategjik që nga pavarësia deri më sot”.
Ndërsa, kryeministri Zoran Zaev anëtarësimin në NATO e shikon si kontributin më të madh për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
“Kjo është garancia më e fortë për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë të Veriut. Ne arritëm një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike për vendin e vendosur në themelet e pavarësisë sonë dhe të miratuar me vendim unanim të Kuvendit në vitin 1993”.
Zaev vlerësoi si një përfitim të madh anëtarësimin në NATO. Sipas tij, solidariteti i aleancës u pa nga të gjithë anëtarët në rastin e pandemisë globale.
Gjithashtu nuk mungoi as fjala e ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Ajo u shpreh se anëtarësimi në NATO ishte beteja e tyre.
“Me sakrifica, me rreziqe dhe me shumë punë, por e arritëm. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike, është arritja më e madhe në historinë tonë si shtet i pavarur”.
Shekerinska theksoi se qeveria do të vazhdojë të investojë dhe ta modernizojë ushtrinë.
Anëtarësimi në NATO
Më 20 mars 2020, presidenti Pendarovski nënshkroi Instrumentin e Aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ndërsa, më 27 mars , Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet anëtare e plotë e aleancës më të madhe ushtarako-politike në botë, NATO.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Ahmeti për Mickoskin: Gjuajti me fishekzjarrë, unë me top dhe s’ka më të shtëna
-
Mbytja e nënës me tre fëmijët në Shkodër, Balla: RENEA vijon kërkimet, dyshime të forta për dhunë në familje
-
Zgjedhjet Evropiane, dilema e Melonit mes PPE dhe Salvinit
-
Pahor: Jam duke u përgatitur për ta udhëhequr dialogun – kandidatura dorëzohet gjatë javës në Bruksel