Aleksandar Arsenijeviç, politikani serb në Kosovë, në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar një video ku shihet momenti kur një qytetar goditet nga një veturë në lëvizje gjersa shoferi incizonte veprimin e tij.
Sipas pretendimeve të Arsenijeviç, i cili së fundmi është certifikuar si kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut, ngjarja e rëndë ka ndodhur në komunën e Leposaviqit.
Redaksia e Albanian Post ka kontaktuar, Arsenijeviç, për të marrë detaje shtesë për videon në fjalë, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.
Arsyet e goditjes ende nuk dihen, ashtu si edhe fati i viktimës.
Arsenijeviç, rastin në fjalë e ka ndërlidhur me mungesën e pranisë së Policisë së Kosovës në rrugët e komunave veriore të Kosovës, kjo pasi që serbët dhanë dorëheqje nga ky institucion – por, jo vetëm – pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave.
“Më tmerron skena e komunës së Leposaviqit ku një burrë (nëse mund të quhet kështu) shkel një njeri në rrugë në mungesë të policisë, duke plotësuar disa nga tekat e tij personale. Shpresoj që një ditë të përgjigjet për këtë krim!”, ka shkruar ai në mbishkrimin e videos.
Albanian Post ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti, i cili ka deklaruar se Policia në këto momente po merret me rastin.
“Videoja që është publikuar në rrjete sociale e kemi parë, e kemi kontaktuar Prokurorinë, mirëpo ankues apo palë të dëmtuar nuk kemi lidhur me rastin, tash duhet me u verifiku lokacioni ku ka ndodhur rasti dhe kur ka ndodhur dhe janë disa procedura që duhet të ndiqen”, ka thënë Hoti për Albanian Post.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
“Mund t’iu zhvatni lëkurën”, Alexander Clapp udhëtim në historinë kriminale në Mal të Zi
-
Jasharaj thotë se Kurti “urdhëroi” Nagavcin mos t’i takojë sindikatat
-
U zgjodh zëvendëspresidente e PL-së, Meta thur lavde për Erisa Xhixhon
-
Kosova në Këshill të Evropës dhe Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën – Vukotiç: Përgjigje e Perëndimit ndaj mashtrimeve të Vuçiçit